Lajme Shqip Monday, 28 September 2015 09:52

Për emigrantët që duan t’u shpëtojnë luftërave në vendet e tyre Gjermania përfaqëson tokën e premtuar.

Kjo ide është e përhapur edhe te të vegjlit dhe prova për këtë është një vizatim që ka tronditur dhe mallëngjyer Gjermaninë. Vizatimi është realizuar nga një vajzë e vogël siriane në kampin e refugjatëve në Passau.

Në njërën anë të fletës pasqyrohet realiteti i sirianëve, me trupa të përgjakur në tokë, shtëpi të shkatërruara dhe kafka, ndërsa në anën tjetër vizatohet një shtëpi dhe flamuri gjerman, i cili gjendet brenda një zemre; me zemër të kuqe është rrethuar edhe fjala polici.

Fëmijëve në qendrat e regjistrimit u jepen lapsa me ngjyra dhe letra të vizatojnë, ndërsa presin prindërit e tyre.

Vajza që realizoi vizatimin ja dorëzoi atë një polici, i cili e vendosi në një tabelë bashkë me punimet e tjera. Një zëdhënës i policisë, i cili e vlerësoi atë si interesante, e postoi në “Twitter”, ku vizatimi u kthye në një sensacion.

Deri tani postimi me hashtagun  “pa fjalë” dhe “kriza e refugjatëve” është rishpërndarë rreth 7 mijë herë.

Identiteti i vajzës që realizoi vizatimin nuk dihet ende. Siç bëjnë me dije autoritetet, policët marrin shpesh vizatime si dhuratë nga fëmijët që presin në radhë në qendrat e regjistrimit të refugjatëve. Në shumë prej tyre shkruhen fjalë falenderuese, por asnjëri deri tani nuk i kishte shokuar ata si në rastin e vizatimit të vajzës siriane ku pasqyrohen si shpresa ashtu edhe tmerri.