Lajme Shqip Tuesday, 13 March 2012 10:49

Pse të harxhosh mijëra dollarë për të blerë instrumenta muzikorë të cilësisë së lartë, kur të njëjtën punë mund ta bësh duke përdorur perime?

Kjo është pyetja që i kanë futur në kokë komunitetit muzikor dy vëllezërit kinezë Nan Ueidong dhe Han Ueiping, të cilët kur i sheh të blejnë në treg, fare mirë mund të mendosh se janë pronarët e një restoranti. Por dy vëllezërit i blejnë perimet për një tjetër qëllim, ata i përdorin si instrumenta muzikorë.

Kjo duket e pabesueshme dhe e çuditshme, por imazhet e përcjella prej tyre nuk lënë vend për dyshime. Ashtu si për gatimin, Nan dhe Han thonë se perimet duhet të jenë të freskëta që muzika të jetë më e bukur. Sipas tyre, perimet e përdorura si instrumenta kanë një veçori, që me avullimin e ujit brenda tyre, tingujt që ato nxjerrin ndryshojnë duke u bërë më të fortë.

Sipas tyre, perimet e ndryshme nxjerrin tinguj të ndryshëm dhe kështu mund të përdoren për melodi të shumëllojshme. Sigurisht që një mënyrë e tillë për të bërë muzikë është mjaft e vështirë, sidomos për faktin se me kalimin e pak ditëve perimet humbin freskinë e tyre dhe nuk mund të përdoren më. Vëllezërit Ueiping janë zotuar se do të përpiqen që të ndërtojnë vegla muzikore me perime që të rezistojnë më shumë.