Lajme Shqip Tuesday, 18 August 2015 09:39

Një histori e çuditshme denoncimi, faljeje dhe dënimi publik vjen nga Lushnja. Burri, i cili ka denoncuar gruan e tij për ushtrim dhune, denoncim që ka vënë në lëvizje policinë për ta vënë në pranga agresoren, tashmë vendos ta falë publikisht. Gruaja është arrestuar, pikërisht për akuzën e dhunës në familje ndaj bashkëshortit të saj dhe prokuroria ka hetuar pikërisht këtë akuzë, ndërsa burri ka shkuar ditën e djeshme në zyrat e autoriteteve përgjegjëse dhe ka kryer edhe tërheqjen e denoncimit që kishte bërë kundër bashkëshortes së tij.

Ngjarja, që duket paksa e pabesueshme, është bërë publike prej shumë ditëve, ndërsa sot, gruaja që ka dhunuar burrin, pritet të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Autore e historisë që ka shokuar opinionin publik është një 26-vjeçare, nënë e tre fëmijëve të mitur, e cila tashmë është në paraburgim. Ajo është arrestuar pas një urdhër-kërkimi të lëshuar nga prokuroria për shkak se bashkëshorti i saj, Niko Trimi, nxori pretendimin që e kishte dhunuar barbarisht në banesë. Por çfarë ndodh në të vërtet në familjen Trimi, në një fshat të Lushnjes, sipas vetë kryefamiljarit, që duket se ka humbur “betejën” me bashkëshorten e tij, Edmondën!

Niko Trimi, 36 vjeç, është baba i tre fëmijëve, ndërsa prej më shumë se një muaji, ai kujdeset vetë për ta, pasi bashkëshortja ishte larguar nga shtëpia. Ai sërish vazhdon të kujdeset për fëmijët e tij, pasi nëna e tyre është në paraburgim, por Trimi, ditën e djeshme ka mbërritur në policinë e Lushnjes dhe ka kërkuar që të falet Edmonda. Në të gjithë tentativën për të tërhequr denoncimin, Trimi i ka thënë policisë që gruaja e tij duhet të mos e tradhtojë. Ai ka ngritur pretendimet se bashkëshortja e tij, Monda, shpenzon gjithë kohën në telefon dhe se largohet pa i treguar burrit të saj se ku po shkon.

“Kam kohë që iu kam thënë edhe familjes së saj, se ajo rri gjithë ditën në ‘Facebook’ dhe nuk e di më kë flet. Largohet nga shtëpia pa më thënë. Kur u zumë që më qëlloi, unë i mora telefonin dhe i thashë se kur të duash të flasësh me familjen tënde, ta jap unë. Me të tjerët nuk ke punë të flasësh, por duhet të kujdesesh për fëmijët. Iu tregova edhe familjes së saj se ajo është në rrugën e gabuar, por ato më fajësojnë mua gjithnjë, edhe pse unë nuk kam asnjë faj”. Referuar të dhënave të policisë bëhet me dije se Trimi ka vendosur ta falë bashkëshorten e tij, vetëm e vetëm se nuk mundet dot të kujdeset për 3 fëmijët e tyre. Ai kërkon nga prokuroria ta lërë të lirë Edmondën të vijë në shtëpi, pasi beson se ajo duhet të ketë vënë mend dhe nuk do të largohet më nga shtëpia. Nuk dihet se çfarë mase do të marrë gjykata ndaj Edmonda Trimit, por bashkëshorti i saj, disa herë ka kërkuar që ajo të kthehet në familje dhe të kujdeset për fëmijët, pasi nuk ka kush t’iu shërbejë.

Rreth një javë më parë, Niko Trimi, 36 vjeç, denoncoi në policinë e Lushnjes bashkëshorten e tij, Edmondën. Ai i tha policisë se gruaja e kishte dhunuar fizikisht dhe më pas ishte larguar nga banesa dhe nuk kthehej më. Sipas tij, ngjarja kishte ndodhur në korrik dhe që prej asaj kohe gruaja vazhdonte ta kërcënonte se nëse nuk do ta lejonte të bënte çfarë të donte, ajo do ta dhunonte sërish. Për të shpëtuar nga dhuna, po edhe nga fakti që ai dyshonte se gruaja e tradhtonte, Trimi kërkoi arrestimin e saj. Gruaja, sapo mori vesh denoncimin që kishte kryer babai i tre fëmijëve të saj, iku nga shtëpia për t’u arrestuar vetëm dy ditë më parë nën akuzën e dhunës në familjes. /Shekulli/