Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 16:18

Në Bangkok të Tajlandës ekziston një tempull murgjish budistë të cilët rrisin tigra që nuk e kanë aspak problem afrimitetin me njerëzit.

Ky tempull është tashmë një nga tërheqjet kryesore për turistët nga e gjithë bota sepse është i vetmi vend në botë ku njerëzit mund të dalin foto duke përkëdhelur grabitqarët. Tempulli i Tigrave në provincën e Kanchanaburi, 80 km larg Bangkokut, është themeluar në vitin 1999, ku një murg mori në kujdestari një tigër të vogël të braktisur.

Turistët mund të vizitojnë këtë vend me 20 euro dhe kur tigrat janë në gjumë ata mund të afrohen dhe t’i përkëdhelin gjatë një vizite që zgjat 30 minuta.

Por kjo gjë ka shkaktuar polemika dhe shumë herë pjesëtarë të tempullit kanë përgënjeshtruar hipotezat se ata i japin qetësues tigrave në mënyrë që të bien në gjumë të thellë dhe në këtë mënyrë turistët mund të bëjnë foto të pashqetësuar.

Murgjit deklarojnë se mishngrënësit janë të butë sepse që në ditët e para të jetës janë rritur nga njerëz dhe egërsia e tyre është kontrolluar. Gjithsesi, shumë njerëz janë dyshues për faktin se gjatë vizitave tigrat duken shumë të plogësht dhe të qetë. (tch)