Lajme Shqip Sunday, 29 April 2012 10:30

Natasha Moraes de Andrade kishte vite që përmendej për flokët e saj. Në moshën 12-vjeçare, vajza që jeton në një zonë të varfër të Rio de Zhaneiros, ishte mbiquajtur “Rapunzela e vërtetë”.

Flokët e saj 1,6 metra të gjatë, nuk i kishte prerë asnjëherë. Për Natashën, ato ishin një burim krenarie, por së fundi është bindur se mund të ktheheshin fare mirë edhe në një burim financiar. Pas shumë hezitimesh, 12 vjeçarja vendosi t`i presë dhe t’i shesë për extension në këmbim të një shume prej 5.000 dollarësh amerikanë, të cilët mjaftojnë që familja e saj të mund të blejë një shtëpi për të qënë.

Flokët e pengonin më përpara Natashën të luante lirisht si të gjithë fëmijët e tjerë, apo të shkonte në plazh. Larja e tyre kërkonte 4 orë në javë dhe një orë e gjysmë duhej çdo ditë për krehjen. Kjo ka bërë që përveç parave të siguruara, vajza të mos pendohet për veprimin e saj ndërsa thotë se ndihet shumë mirë edhe me veten.

“Në fillim, kur u ula në poltronë shpërtheva në lot, por pastaj m’u duk sikur rifitova lirinë time”, rrëfen ajo. Flokët e Natashës tani nuk janë më të gjata se 40 centimetra dhe kërkojnë vetëm 5 minuta kohë për t`u larë. Sa për familjen e saj, ajo ka filluar punën për ndërtimin e shtëpisë se re, ku 12-vjeçarja do të ketë një dhomë vetëm të sajën.