Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 08:50

Tiranë – Saimir Strati ka fituar për herë të gjashtë çmimin Guinness, duke krijuar kësaj here një rekord të ri, atë të mozaikut më të madh në botë me kokrra kafeje.

Ceremonia e dorëzimit të çertifikatës u zhvillua pasditen e djeshme në Hotel “Rogner”, aty ku Strati ka punuar 18 orë përballë mozaikut me subjekt “Një botë, një familje, një kafe”.

Ajo çka e ka shtyrë në krijimin e një rekordi të ri me këtë subjekt është dëshira që gjithë popujt të jenë bashkë dhe sipas tij, vetëm arti mund t’i bëjë sinkron të gjithë kontinentet, ndaj dhe personazhet e veprës së tij janë pesë artistë. “Gjithmonë kam pasur dëshirë që popujt të jenë bashkë dhe kjo me nxiti të bëj këtë mozaik me pesë kontinente sëbashku si një familje”, tha Saimir Strati.

Mozaiku ka pesë personazhe dhe përfaqësojnë secili nga një kontinent. Strati ka zgjedhur tonalitet ngjyrash që përftohen nga kafja e pjekur mirë, mesatarisht apo e papjekur, të cilat konkurrojnë detajet e portreteve të personazheve të tij.

“Guinness-in ja dedikoi të gjithë popujve që kanë mbështetur Shqipërinë në 99-të vjet të pavarësisë së saj”, tha Saimir Strati. Për mozaikun që i dha atij Guinness-in e gjashtë artisti ka përdorur 130 kg kafe ose rreth 1 milion kokrra.

Punën për rekordin e ri ai e filloi në 10 nëntor dhe e mbaroi në kohën e duhur dhe sipas kritereve, të cilat i vlerësoi sot gjyqtarja, përfaqësuese zyrtare e Guinness, Seyda Subasi Gemici.  Sipas saj, Guinness nuk kishte një rekord për këtë kategori, ndaj është dashur të hapej një kategori e re, mozaiku i të cilit duhet të ishte minimumi 25 m2, të krijohej në një ambient të hapur si dhe kokrrat e kafesë mos të ishin më shumë se 2.5 cm. Pas verifikimeve të gjyqtares, mozaiku i Saimir Stratit rezultoi 25.1 cm 2.

Gjatë orëve të gjata, me të cilat Strati është mësuar, ai është shprehur se ka dëgjuar shumë muzikë nga të gjithë kontinentet dhe për të ka qenë mozaiku që i ka dhënë më shumë kënaqësi pasi ka pasur mundësi kompozimi. Artisti ka zgjedhur gjithmonë për veprat e tij objekte të pazakonta si gozhdë, tapa shishesh, kunja, penela, etj, dhe kësaj here ka zgjedhur pikërisht kafen, si një produkt që konsumohet kudo në botë dhe që përshtatet me konceptin e tij.

Thyerja e rekordeve Guinness për Saimir Statin është kthyer tashmë në një traditë. Strati mban rekord për mozaikun e një djali që i bie kitarës, realizuar me tapa shishe, për portretin e Leonardo da Vinçit, krijuar me gozhdë, për kalin me kunja dhëmbësh, për portretin e Michael Jackson me penela dhe për monedhën me vida.