Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 15:00

Angli – Binjaket me kokë të bashkuar tashmë janë gati për t’u kthyer në shtëpi pas operacionit kirurgjikal që kaluan. Rital dhe Ritag Gaboura, të cilat më 22 shtator mbushën plot 1 vjeç,  ju nënshtruan një operacioni ku probabiliteti për të shpëtuar ishte 1 në 10 milion.

Binjaket nga Sudani deri pak ditësh ndanin të njëjtat arterie dhe zemra e vogël e Ritagut ishte ajo që furnizonte më së shumti me gjak trurin e motrës së saj.

Vogëlushet u pranuan në spitalin e Londrës “Great Ormond Street Hospital” që në muajin prill, ku u mbajtën nën vëzhgim për disa muaj në vazhdim. Ato u ndanë nga njëra-tjetra përpara një muaji, duke ju nënshtruar 4 operacioneve.

Përfaqësuesi i organizatës bamirëse “Facing The World”, e cila mblodhi fondet për ardhjen e motrave sudaneze në Angli, ka thënë në një intevistë për median:

“Kur i sheh sot këto dy vogëlushe se si qeshin dhe gëzojnë, të japin frymëzim për të luftuar në ndihmë të atyre njerëzve që vërtetë kanë nevojë, pavarësisht se shanset për të mbijetuar mund të jenë 1 në 10 milion.” (LajmeShqip.com)