Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 13:00

Sipas burimeve të InterFaxit, hekurudhat ruse (RZHD) dhe agjensia federale e energjisë atomike ruse (Rastom) po ndërtojnë një tren të fuqizuar nga energjia bërthamore.
Ky tren i cili do të jetë i ndërtuar prej 11 kabinash, do të jetë projekti i të gjitha aftësive shkencore të përvetësuara deri më sot. Kostoja e ndërtimit, ashtu si dhe masat e sigurisë për këtë lloj transporti, janë ende të panjohura.

Në mesin e shekullit të 20, industria e transportit ‘u dashurua’ me idenë e mjeteve të fuqizuara nga energjia bërthamore. Në 1958, gazeta ruse “Gudok” shkruante:

“Megjithëse do të gjenerojë të njëjtën fuqi, lokomotiva me energji bërthamore ka të ngjarë që të peshojë më shumë se një lokomotivë që punon me qymyr ose diesel. Ajo do të ketë avantazhin se mund të udhëtojë në largësi, si psh. në Arktik; madje mund të punojë edhe gjatë sezonit të dimrit pa nevojën e furnizimeve shtesë.”

Ideja për të përdorur energjinë bërthamore në jetën e përditëshme ka joshur edhe inxhinierët amerikanë. Ford Motor Company ka zhvilluar në 1958 një makinë që furnizohej me ‘karburant’ bërthamor të quajtur “Ford Nucleon”. Ky automjet nuk përfshinte një motorr me djegie të brëndshme pasi fuqizohej nga një reaktor i vogël nuklear, që pozicionohej në pjesën e pasme të automjetit. Ishte një motorr me avull që furnizohej me uranium radioaktiv, i cili prodhonte energji nga reaksionet zinxhirë, në mënyrë të ngjashme me nëndetëset nukleare. Megjithatë, Ford Nucleon kurrë nuk doli në prodhim.

Mediat amerikane gjithashtu spekuluan mbi idenë e një fshese bërthamore, pra me idenë e një fshese me korent, por që nuk do të furnizohej me energji elektrike por, me energji bërthamore. Megjithatë, edhe ky projekt nuk e pa kurrë dritën e diellit. (LajmeShqip.com)