Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 15:44

Australi – Clive Palmer, një prej njerëzve më të pasur të Australisë ka porositur një kompani shtetërore kineze për të ndërtuar versionit e shekullit të 21-të, të Titanic.

Miliarderi i minierave tha për mediat australiane se ndërtimi do të fillojë në fund të vitit të ardhshëm, dhe Titanic 2 do të jetë gati për lundrim në vitin 2016.

Ai shtoi se plani është që anija të jetë e ngjashme sa më shumë të jetë e mundur me Titanic-un origjinal për sa i takon dizanjit dhe detajeve, por kuptohet e pajisur me teknologjinë moderne.

Zoti Palmer tha se kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë CSC për të ndërtuar anijen. “Ajo do të jetë po aq luksoze sa Titanic-u origjinal, por sigurisht do të ketë teknologjinë e shekullit të 21-të dhe sistemet e fundit të sigurisë dhe navigimit”, tha ai në një deklaratë, teksa kostja e anijes nuk është bërë ende publike nga manjati australian.

Njoftimi vjen vetëm disa javë pas 100-vjetorit të fundosjes së anijes fatkeqe Titanic, më 15 prill 1912. Anija asokohe goditi një ajsberg në udhëtimin e saj nga Southampton për në New York, ku vdiqën më shumë se 1.500 njerëz.

Edhe anija e re është planifikuar të nisë në vitin 2016 udhëtimin e saj nga Londra drejt New York-ut për të përfunduar atë që Titanic 1 nuk mundi kurrë, udhëtimin e tij të parë.