Lajme Shqip Wednesday, 16 September 2015 14:24

Të gjitha këto vizatime janë punuar nga dora e Argjent Fekës, një djalë i ri nga qyteti i Mitrovicës. Vizatimet e tij janë digjitale dhe të stilit japan “Anime”. Argjenti thotë se inspirimin për të bërë kësi vizatime e merr nga filmave të ndryshëm vizatimor.

“Qysh si fëmijë i kam pas shumë për qejf filmat vizatimor, por gjithmonë jam mundu me i analizu. Normalisht qe si fmi nuk kam dit me vizatu ashtu si vizatoj sot, por krahas talentit jam perkushtuar shume. Ky aktivitet më ka ndihmu shumë, se sot e kam imagjinatën shumë të zhvillume dhe kjo gjë më ka ndihmu sepse tash vizatoj ambiente e personazhe të cilat nuk egzistojnë” – tha Argjenti për Magazina.al

Argjenti thotë se për punimet e tij nuk janë shumë të informuar kosovarët. Kjo pasi vizatimet e tij ngarkohen nëpër faqe interneti vetëm për art dhe shiten për të huajt, të cilët thotë se mund të bëjnë edhe porosi.

“Unë e kam një llogari në një faqe të huaj thirret DeviantArt, aty ka shumë artista. Jam njëri prej artistëve më të kërkuar në at faqe, pasiqë shumë njerëz më kërkojnë vizatime, më dërgojnë fotografi të tyre edhe kërkojnë ti vizatoj ose kanë kërkesa tjera. Me rëndësi është që krijimet e mia po shihen prej njerzve që dinë ta vlerësojnë” – vazhdon Argjenti rrëfimin e tij.

Argjenti, i cili aktualisht është në përfundim të studimeve në Fakultetin Ekonomik, thotë se Kosova nuk jep fare perspektivë për artistë inovativ si puna e tij, prandaj ka zgjedhur një rrugë tjerë për të depërtuar deri tek dashamirët e artit.