Lajme Shqip Monday, 14 September 2015 09:24

Nuk duhet t’i zihet për të madhe italianit Sandro Rocchi, nëse ai duket i shpërqendruar, teksa shijon një gotë verë të kuqe në restorantin e fëmijëve të tij dhe i kënaqet ringjalljes së pazakonshme të Civita di Bagnoregios, një fshati të mahnitshëm kodrinor në Itali. Ai ishte zhvendosur në vitet shtatëdhjetë, shkaku i mungesës së perspektivës. Tani në këtë fshat ka shitore, restorante dhe shumë turistë.

“Këtij vendi i është kthyer jeta”, ka thënë Rocchi.

Megjithatë, fshati përballet me një problem të madh.

Civita di Bagnoregio është duke u shembur gradualisht, një proces natyror që po zhvillohet tashmë sa shekuj. Rrëshqitjet e dheut e kanë ndryshuar strukturën e saj, duke e ndarë në dysh objektin nga guri të banorit më të famshëm të fshatit, Giovanni di Fidanzas, teologut të mesjetës, që ishte shpallur i shenjtë si Shën Bonaventura, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin “New York Times”.

Për vite të tëra kjo luftë e humbur kundër gjeologjisë nuk ka qenë edhe aq problem i madh, për shkak se pothuajse askush nuk jetonte në Civita dhe nuk kishte edhe aq shumë vizitorë.

Numri i banorëve në këtë fshat vazhdon të jetë i vogël – gjashtë banorë, ndoshta edhe tetë – por Civita, 75 milje në veri të Romës, në Italinë Qendrore, është tani pikë e rëndësishme turistike, me 500.000 banorë që priten gjatë këtij viti. Ajo është kandidate për t’u futur në listën e vendeve të trashëgimisë botërore nga UNESCO.

Civita është në qendër të një fushate rajonale turistike dhe emri i saj është ngjitur edhe nëpër pllakate gjithandej nëpër Romë. Të gjithë pajtohen se është një mrekulli.

Por fshati po shembet, edhe nëse ngadalë. Gjatë muajit maj, rrëshqitja e dheut bllokoi rrugën njëdrejtimëshe që të shpjerë drejt fshatit. Rruga mbetet stabile, teksa ekipet janë duke punuar vazhdimisht; turistët duket se nuk e kanë vërejtur fare këtë gjë. Një gjeolog lokal ka thënë se Civita ka pësuar rreth dhjetë rrëshqitje dheu gjatë vitit të kaluar, disa prej të cilave të vogla, të tjerat më dëmtuese.

“Shiu paraqet problemin kryesor”, ka thënë gjeologu Giovanni Maria di Buduo, që mbikëqyr muzeun lokal, dedikuar gjeologjisë së Civitas dhe rajonit përreth. “Shiu hyn në të çarat e gurit vullkanik dhe krijon ndryshime. Gjatë pesë shekujve të kaluar kemi parë ndryshime të shkëmbit për rreth 20 për qind, shkaku i rrëshqitjeve të dheut”