Lajme Shqip Sunday, 08 April 2012 10:00

Në botë ekzistojnë afërsisht 6.000 gjuhë të ndryshme, në mesin e të cilave është edhe ajo e quajtur ajapenko. Këtë gjuhë e flasin vetëm dy njerëz në Meksikë, madje edhe ata dy janë në marrëdhënie fort armiqësore me njëri-tjetrin. Gjuha ajapenko në të kaluarën është folur në territorin e sotshëm të Meksikës.

Kjo gjuhë i ka mbijetuar pushtimeve të Spanjës, luftërave, revolucioneve, thatësirave dhe përmbytjeve, por sot po i kanoset vdekja, informojnë mediat e huaja. Kjo gjuhë flitet vetëm nga 75-vjeçari Manuel Segovia, dhe 69-vjeçari Isidro Velasquez.

Që të dy jetojnë në fshatin Ayapa në shtetin federal meksikan Tabasco, banojnë larg njëri-tjetrit vetëm 500 metra, por prej shumë vitesh janë në armiqësi mes tyre.

Ndonëse janë dy të vetmit në botë që e dinë këtë gjuhë, ata prej vitesh nuk kanë folur asnjë fjalë në gjuhën që dihet vetëm prej tyre. Kjo ka qenë edhe arsyeja që studiuesi i gjuhëve Daniel Suslak nga universiteti në Indiana, ka vendosur të shkruajë fjalorin e gjuhës ajapenka.

Ai ka konstatuar se kjo gjuhë është shumë interesante dhe se është më e rrezikuara nga zhdukja në mesin e 68 gjuhëve të ndryshme që fliten në Meksikë.