Lajme Shqip Thursday, 17 September 2015 15:45

Një 14-vjeçar mysliman u arrestua pasi çoi në shkollë një orë të shpikur prej tij për të cilën mësuesit thanë se dukej si bombë. Por nga ana tjetër, kjo ka lënë të mrekulluar disa nga personat më të fuqishëm të globit, të cilët nuk kanë hezituar të përgëzojnë adoleshentin Ahmed Mohamed

Kështu adoleshenti ka marrë mesazhe përgëzime dhe mbështetje nga Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, i cili e ka ftuar të vijë në Shtëpinë e Bardhë.

Obama shprehu mbështetjen e tij në Twitter për adoleshentin: ‘Orë shumë e bukur Ahmed. Ke dëshirë ta sjellësh në Shtëpinë e Bardhë? Duhet të frymëzojmë më shumë fëmijë si ty që të pëlqejnë shkencën. Kjo është ajo që e bën Amerikën të madhe”.

Përgëzimeve ndaj djaloshit i është shtuar edhe krijuesi i Facebook, Mark Zuckerberg i cili i nisi gjithashtu një ftesë 14-vjeçarit, ndërsa shkroi në faqen e vet zyrtare në rrjetin social: “Një i ri që ka aftësinë dhe ambicien për të krijuar diçka të bukur duhet të duartrokitet, jo të arrestohet. E ardhmja i përket njerëzve si Ahmed. Nëse ke dëshirë të vish në Facebook, do të isha shumë i lumtur të të takoja”.

Ndërkohë, Bobak Ferdoswi, një inxhinier sistemi në NASA shkroi: “Hej Ahmed, më bëj një telefonatë pas disa vjetësh. Ne përdorim gjithmonë njerëzit e zgjuar, kurioz dhe kreativë”.

Ahmed Mohamed, 14 vjeç, nga Irving, Texas, e kishte krijuar vetë orën dhe më pas e kishte çuar në ‘MacArthur High School’, në Irving për t’ia treguar mësuesit të lëndës së inxhinierisë.

Mësuesi i tij pati dyshime dhe lajmëroi menjëherë policinë, të cilët e arrestuan 14-vjeçarin.

Por në një konferencë për mediat, policia sqaroi se Ahmed ishte i pastër dhe se nuk kishte asgjë të dyshimtë në shpikjen e tij.