Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 13:59

{template7}

Bejrut – “Salla shpërthen në duartrokitje për sopranon që guxon të përballë: ‘Puf…puff…puf ma bën fustani’ me ‘Casta Diva’-n… Kjo ishte mrekullia Inva Mula”. Sopranoja Inva Mula dhe pianisti Genc Tukiçi kanë mrekulluar Bejrutin me interpretimin e tyre.

Kështu shkruajnë mediat libaneze për interpretimin e dy artistëve shqiptarë në Festivalin “Al Bustan”, që po zhvillohet në Bejrut. Programi i festivalit në mbrëmjen e 13 marsit ishte rezervuar për sopranon Inva Mula dhe pianistin Genc Tukiçi. Në fakt Mula është konsideruar si një nga pjesëmarrëset “Dive” e edicionit të këtij viti që është mbajtur nën titullin “Along the Danube to the Black Sea” (Përgjatë Danubit dhe Detit të Zi). E sigurisht që në vlerësimet që janë dhënë për sopranon shqiptare nuk mund të lihej jashtë edhe interpretimi i saj në filmin “Elementi i pestë”. Por ajo që ka ngritur spektatorin në këmbë për të duartrokitur me minuta të tëra dy artistët shqiptarë ka qenë ndërthurja mes muzikës klasike dhe asaj tradicionale shqiptare, që sopranoja Inva Mula ka sjellë në skenë.

“Një këngëtare erdhi nga Tirana. Një program miks e plot ngjyra. Prezenca e saj, bukuria dhe joshja ishin si të një mbretëreshe. Një soprano padyshim e bukur, por që solli në Bejrut edhe këngë tradicionale shqiptare. Me recitalin e saj shumë të personalizuar sopranoja shqiptare Inva Mula dhe shoqëruesi i saj në piano Genc Tukiçi i dhanë audiencës më të mirën e muzikës klasike dhe asaj tradicionale shqiptare” – komenton ndër të tjera gazeta L’Orient-Le Jour.

E sigurisht që Mula është vlerësuar jo vetëm për zërin e saj, por dhe për performancën në skenën e festivalit.

Festivali mbyllet më 27 mars, ndërkohë që sipas programit do të ngjiten në skenë edhe shumë artistë të tjerë.

Festivalin “Al Bustan” që po zhvillohet në Bejrut është themeluar në vitin 1994 dhe në të marrin pjesë artistë dhe instrumentistë të njohur të skenave botërore. Ky festival konsiderohet si unik në llojin e tij dhe është një ndër festivalet më të njohur të sezonit dimëror.

Ideja e themelimit të këtij festivali ishte rigjenerimi përmes kulturës të një shteti pas 17 viteve luftë. Në këtë festival interpretohet muzike dhome, opera, koncerte orkestrale, koncerte korale, teatër etj. Është një eveniment kulturor gjithëpërfshirës. Në edicionin e këtij viti marrin pjesë 11 artistët nga vende të ndryshme të botës. Gjatë mbajtjes së këtij festivale zhvillohen edhe seminare me artistët pjesëmarrës në Konservatorin e Bejrutit. Ky Festival është dhe anëtar i Shoqatës së Festivalit Europian (EFA).