Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 09:40

Londër – Prodhimtaria globale e çelikut gjatë muajit të kaluar është zvogëluar për 7,8 përqind në nivel vjetor, ndërsa vetëm në Kinë, e cila është prodhuesja më e madhe botërore e çelikut, është regjistruar ulje prej rreth 13 përqind.

Siç kumtoi “Shoqata botërore për çelik”, arsyeja për zvogëlimin e prodhimtarisë është zvogëlimi i kërkesave në sektorin industrial, i shkaktuar nga perspektivat e pasigurta të zhvillimit global ekonomik.

Në muajin janar të vitit 2012 në mbarë botën gjithsej janë prodhuar 117 milionë tonë çelik, që paraqet ulje prej 7,8 përqind në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Në muajin e parë të këtij viti në Kinë janë prodhuar gjithsej 52,1 milionë tonë çelik, përderisa në vendin e dytë për nga madhësia e prodhimtarisë së këtij repromateriali në botë Japonia, janë prodhuar 8,6 milionë tonë, që paraqet ulje të nivelit vjetor prej 10,6 përqind.

Ekspertët për çelik dhe hekur në vitin e kaluar parashikuan rritje të konsiderueshme të kërkesës së çelikut gjatë këtij viti, por parashikimet e tilla tani për tani nuk realizohen.

“Arsyeja për këtë është fakti që kërkesa në disa degë industriale është relativisht e dobët”, konsideron analisti Kolin Hamilton.