Lajme Shqip Friday, 01 July 2011 07:55

Tiranë – Fermerët shqiptarë duhet të investojnë më shumë për prodhimin e produkteve organike. Në konferencën për “Bujqësinë organike”, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, tha se, Qeveria do të mbështesë rritjen e kapaciteteve prodhuese të produkteve bio. Sipas ministrit, kërkesat nga tregjet europiane për këto produktet janë të larta dhe fermerët shqiptarë mund të përfitojnë më shumë nga prodhimi i tyre. Ambasadorja zvicerane në Shqipëri, Yvana Enzler, tha se, produktet bio garantojnë cilësi dhe siguri. Sipas Ambasadores, Shqipëria ka potenciale të shumta për të zhvilluar këtë sektor të bujqësisë.

“Helmimet ushqimore në Gjermani dhe vende të tjera të Europës treguan se është e domosdoshme garancia në produktet ushqimore. Produktet bio janë të sigurta dhe të një cilësie të lartë. Kërkesat në tregjet europiane po vijnë gjithnjë në rritje për këto produkte. Edhe Shqipëria, që të përballet me tregjet europiane, duhet të rrisë sipërfaqen e tokës bujqësore të mbjellë me këto produkte.

“Ne do të mbështesim zhvillimin e bujqësisë organike në Shqipëri, pasi këto programe garantojnë më shumë të ardhura për fermerin shqiptar dhe produkte më të mira në tavolinën e konsumatorit,” tha Enzler.

Aktualisht vetëm 4 % e sipërfaqes totale bujqësore në vend përdoret për prodhimet bio. Synim i Qeverisë është që kjo sipërfaqe të arrijë në 5 % brenda vitit 2013.