Lajme Shqip Sunday, 17 April 2011 09:48

Prishtinë – Trepça paraqet brezin më të pasur të mineraleve të plumbit dhe zinkut në Evropë, sipas ish-drejtorit të gjigantit të dikurshëm të ekonomisë kosovare, Nazmi Mikullovci.

Në konferencën “Trepça- dje, sot dhe nesër”, të organizuar në fundjavë  nga Lëvizja Vetëvendosje, ai tha se potenciali kryesor të kësaj kompanie është brezi mineral.

“Ky brez është i gjatë afërsisht 80 kilometra, ku ka numër të madh të minierave ose rezervave të vërtetuara dhe paraqet brezin më të pasur të mineraleve të plumbit dhe zinkut në Evropë”, u shpreh Mikullovci.

Sipas tij, programi i mëtejmë për futjen e Trepçës në prodhim duhet të përfshijë “shpalljen e saj ndërmarrje publike nga Kuvendi; intensifikimin e hulumtimeve gjeologjike; pagesën e borxhit prej 50 milionë nga Qeveria, (kur dihet se pasuria e Trepçes është afro 10 miliardë euro)”.

“Përmes këtij programi, do të mund të restauroheshin minierat ekzistuese dhe hapja e minierave të reja, ngritja e kapaciteteve për furnizim natyral në metalurgjinë e zinkut dhe ngritja e kapaciteteve të saj në 80 mijë tonelata”, ka thënë ish-drejtuesi  i Trepçës.

Sipas komunikatës nga Lëvizja Vetëvendosje, në tribunë është vlerësuar se Trepça me prodhim dhe me eksperiencë do të ishte parakusht i rëndësishëm për investimet vendore dhe të jashtme në ngritjen e kapaciteteve dhe do të bëhej një shtyllë e rëndësishmë e ekonomisë kosovare.

Është theksuar se “Trepça e nesërme do të vlente më shumë së Trepça e djeshme, dhe do të siguronte një zhvillim ekonomik të mbështetur në prodhim vendor”.

Sipas medias, Mikullovci  ka përkujtuar se “në vitin 2000 Trepça kaloi nën administrimin e UNMIK-ut dhe deri në vitin 2003 ajo u financua vetëm për tu ruajtur nga përmbytjet e ujit dhe për mbrojtjen e objekteve dhe stabilimenteve industriale. Ndërkaq, në vitin 2005, Trepça filloi punën me disa mjete të vjetra, kështu që minierat sot prodhojnë me rreth 15 për qind të kapacitetit që kanë”.