Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 17:15

Tiranë – Kompania çeke CEZ ka rritur brenda një muaji borxhin ndaj arkës së KESH-it me 5 milionë euro, duke kapur në total shifrën prej 55 milionë euro. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Engjëll Zeqo, tha sot se “CEZ i detyrohet arkës së KESH-it me një borxh prej 55 milionë euro të pashlyer, që nga muaji tetor 2010 deri tani”.

Një muaj e gjysëm më parë, borxhi kishte arritur në 50 milionë euro. Sipas Zeqos, në mes të vitit CEZ-i kërkoi ndryshim dhe rritje në kërkesën e bërë këtë fillimviti për sasinë e energjisë. Aktualisht, ndërsa KESH importon sasinë e energjisë së kërkuar nga CEZ-i për konsumatorët, kjo e fundit importon vetëm atë sasi energjie, të barabartë me nivelin e humbjeve të saj.

Në kushtet e një thatësire të tejzgjatur, pasi nga muajit prill nuk ka pasur rreshje të mjaftueshme për mbushjen e liqeneve në hidrocentralet, stina e verës u shoqërua me një kërkesë të rritur për energji, ç’ka ka detyruar KESH-in që të blejë energji në tregjet e huaja me çmim të rritur.

Në muajin gusht konsumi ditor i energjisë arriti 19 milionë kwh/ditë, në shtator 18.5 milionë kwh/ditë, ndërsa sot llogaritet në 23,5 milionë kwh/ditë. Borxhi që CEZ-i i ka KESH-it, planifikimi i gabuar i kërkesës vjetore për energji, rritja e çmimit të energjisë në tregjet e huaja, ka krijuar vështirësi në arkën e KESH-it.

Kompania pret që ERE të plotësojë kërkesën e saj për 2012, që parashikon rritje të çmimit të energjisë, të cilën ia shet kompanisë të shpërndarjes, CEZ, të llogaritur për 3 vitet e ardhshme. KESH argumenton se në tarifën e furnizimit me energji për CEZ-in, rreth 90% e zë kostoja për blerjen e saj, por dhe bazohet në faktin se për vitin 2012, CEZ ka kërkuar 30% sasi energjie më të lartë se në 2011-tën.

KESH-i ka propozuar rritjen e tarifës për energjinë që i shitet CEZ-it nga 1.48 lekë/kwh që është sot, në 5.03 lekë/kwh si dhe rritje të çmimit të prodhimit të energjisë nga 0.63 lekë/kwh, në 0.90 lekë/kwh.

Vetëm për të mbuluar kostot për vitin 2012, KESH-it i duhen 84 miliardë lekë të ardhura për blerjen e energjisë.

Për vitin 2011 ERE ndërsa nuk pranoi kërkesën e KESH-it për rritje të çmimeve të shitjes së energjisë së saj, uli më tej çmimin e energjisë me të cilin KESH furnizonte CEZ-in dhe vendosi çmimin 1.48 lekë/kwh, nga 2.03 lekë që ishte deri më 31 dhjetor 2010.