Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 11:12

Tiranë – Drejtori i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Gjok Vuksani, në një prononcim për ATSH-në, shprehet se fermerët duhe të tregohen të kujdesshëm me dokumentacionin që paraqesin pranë drejtorive bujqësore të zonave të tyre për të përfituar nga grantet e qeverisë, ose siç njihet ndryshe programi i subvencionimit.

Duke u ndalur në këtë aspekt, z.Vuksani shpjegon se vëmendje i duhet kushtuar detajeve teknike që kanë të bëjnë me sipërfaqen e mbjellë, koston e tyre si dhe datat e afateve për aplikim. Fermeri paguhet 70 për qind të vlerës së subvencionit menjëherë pas mbjelljes dhe pjesën tjetër e përfiton pas afro dy muajsh. Sipas tij, Qeveria e mbështet fermerin edhe me forma të tjera veç granteve të dhëna. Agjencia që ai përfaqëson mbështet fermerin shqiptar edhe në marrjen e kredive nga banka deri në 25 milionë lekë.

Vuksani u shpreh se prodhimi vendas dhe eksporti i tyre do të vazhdojnë të rriten. Politikat e ndërmarra nga qeveria u japin avantazh produkteve autoktone, duke i bërë më konkurruese në tregjet e huaja. Vuksani thotë se gjatë vitit 2010 kanë përfituar rreth 8. 500 fermerë nga subvencionet e shtetit për mbjelljen e drurëve frutorë, për zhvillimin e teknologjive të ujitjes, për prodhimet në sera, prodhimin e qumështit, mjaltit, vajit të ullirit etj.

Drejtori i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Gjok Vuksani, thotë se shumica e subvencioneve janë shpërndarë në Qarqet e Beratit, Fierit, Shkodrës dhe Elbasanit, duke theksuar se që nga fillimi i vitit 2011 e deri më sot është rritur me 80 % numri i fermerëve që aplikojnë për subvencione.

Vuksani thekson se nga shteti janë mbështetur edhe industritë agropërpunuese, në mënyrë që të mos dëmtohen produktet e fermerëve, por të jenë gjithnjë të gatshme për të dalë në tregun vendas dhe atë të huaj.

Më në detaje subvencionet për fermerët jane:

1: 350 mijë lekë për çdo ha tokë të mbjellë me dru frutorë dhe arrorë

2: 200 mijë lekë blerje plasmasi për çdo ha të mbjelljes me serë

3: 70 mijë lekë për prodhimin e produkteve bio në fermë

4: 100 lekë/litër vaji ulliri nëse prodhon më shumë se 15 ton në vit

5: 600 lekë për koshere bletë.