Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 12:30

Vlorë – Ndërtimi i TEC-it të ri të Vlorës, që do të hyjë në funksion me kapacitet të plotë prodhimi brenda muajit dhjetor, përbën investimin e parë pas 30 vjetësh në sistemin energjitik shqiptar.

Punimet për realizimin e këtij projekti madhor nisën në 27 gusht të vitit 2007 dhe u konkretizuan me vëniën në funksion të turbinës së parë, në 23 qershor të vitit 2009, kur u zhvillua edhe ceremonia zyrtare me praninë e Kryeministrit Sali Berisha. TEC-i u financua me një vlerë prej 92 milionë euro nga Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve (BEI), Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) dhe nga vetë Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH).

Punimet në këtë objekt nisën pas një diskutimi disavjeçar, pjesë e të cilit ishte edhe impakti mjedisor dhe dhënia e lejes së ndërtimit që u miratua në KRRTRSH, në datën 5.5.2007. Supervizimi i punimeve u realizua nga firma zvicerane “Colenco Powers Engineerinng”, Ltd.

-1 nëntor 2007, TEC-i drejt përfundimit të fazës së parë-

Kantieri i ndërtimit të TEC-it në bregdetin perëndimor të qytetit të Vlorës, tashmë është formësuar plotësisht. Gëzim Hoxha, administrator i formës “Shushica”, që është angazhuar në disa procese të caktuara të ndërtimit, thotë se, puna që kryhet këtu është e një cilësie tepër të lartë. Gjithçka është nën monitorimin e vazhdueshëm dhe të rreptë të specialistëve shqiptarë dhe atyre italianë të firmës “Maire Engineering SpA Italy”, që ka fituar tenderin. Sipërfaqja e kantierit të ndërtimit të TEC-it është 6 hektarë, nga e cila 3.5 ha i përket objektit dhe pjesa tjetër, 2.5 ha, është sipërfaqje “provizore” siç e emërtojnë specialistët.

-18 dhjetor 2008, TEC-i, investim modern për sistemin energjitik të Shqipërisë-

Ndërtimi i TEC-it të ri në qytetin e Vlorës përbën investimin më të rëndësishëm, përgjatë disa dekadave, në sistemin energjitik të Shqipërisë. Teknologjia e tij përfaqëson në vetvete arritjet më të fundit në këtë fushë, në vendet më të përparuara si, SHBA, Angli, Gjermani, Itali, Francë etj.

Drejtori Mario Sota thotë se, aktualisht është realizuar mbi 60 përqind e volumit të punimeve të të gjithë veprës. Janë montuar pajisjet kryesore, si modulet e kaldajës dhe po vazhdohet me aksesorët ndihmës të saj. Janë montuar pajisjet të tjera kryesore si turbina e gazit, që do të realizojë 2/3 e kapacitetit të prodhimit të TEC-it, turbina e avullit që do të gjenerojë pjesën tjetër të këtij kapacitetit. Në këtë drejtim, ka përfunduar montimi i shtyllave të tensionit të lartë dhe po vazhdon puna për vendosjen e linjës 220 kv, që do të lidhë TEC-in me sistemin shqiptar të transmetimit, përmes nënstacionit modern të Babicës, një tjetër investim modern, që u përurua pak muaj më parë, në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri, Sali Berisha.

TEC-i i ri i Vlorës, me një fuqi prej 97.167 MgW, do të jetë me cikël të kombinuar, me një aks, gaz dhe avull. Turbina e gazit do të funksionojë me lëndë djegëse distilat nafte (D1), me më pak se 0.1 përqind squfur, por do të punojë edhe me gaz natyror. Këta tregues, vecanërisht ajo e përmbajtjes së squfurit, janë mjaft të rëndësishëm në teknologjinë që po zbatohet, për shkak të standardeve mjedisore, të cilët, në të gjitha drejtimet, janë të parametrave të BE-së.
   
-12 prill 2009, nisin provat e sistemeve të prodhimit-

Në procesin e komisionimit kanë kaluar pjesa më e madhe e pajisjeve dhe sistemeve përbërës të TEC-it. Drejtori Mario Sota, thotë se ka përfunduar testimi i transfomatorit të emergjencës, i sistemit të lubrifikimit të turbinës dhe gjeneratorit, ka përfunduar montimi i turbinës së avullit dhe gazit, janë në përfundim aksesorët ndihmës të kaldajës dhe janë në proces testimi të provat hidraulike të saj. Po ashtu, janë në përfundim punimet për ndërtimin e sistemit të marrjes së ujit dhe rikthimit të tij në det. Sistemi i marrjes dhe rikthimit të ujit në det, apo ai i ftohjes termike, që, sigurisht, zbatohen për herë të parë në vendin tonë, janë aplikuar deri tani vetëm në katër apo pesë objekte të tilla të ngjashme, në Itali.

-2 qershor, kryhen provat e fundit per turbinën-

Janë duke u kryer provat e fundit dhe në harkun kohor mes datave 10 dhe 15 qershor, turbina e gazit, objekti kryesor i TEC-it, do të vihet në funksion. Vënia në punë e turbinës përbën momentin më të rëndësishëm në përfundimin e plotë të kësaj vepre. Turbina e gazit do të realizojë 2/3 e kapacitetit të prodhimit të TEC-it, ndërsa ajo e avullit, do të gjenerojë pjesën tjetër të këtij kapacitetit.

-3 qershor, Berisha: TEC-i, potencon parametrat e furnizimit me energji-

Kryeministri Sali Berisha dha një konferencë për shtyp për gazetarët dhe mediat lokale të qytetit të Vlorës. Duke u ndalur në investimet e realizuara në Vlorë ai u shpreh se, mes projekteve të mëdha rajonale që përcaktojnë Vlorën si një qendër të rëndësishme, TEC-i potencon parametrat e furnizimit me energji elektrike të zonës nga Vlora në Sarandë.

-23 qershor 2009, kryeministri Berisha i pranishëm në ceremoninë e provës së parë-

Kryeministri Berisha ishte në Vlorë, ku mori pjesë në inspektimin e TEC-it të Vlorës, si dhe në provën e parë të vënies në punë të aparaturave të këtij TEC-i. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Berisha falënderoi në mënyrë të veçantë kompaninë “TECHMOND”, e cila ka realizuar ndërtimin e TEC, si dhe BB, BERZH dhe BEI, për këtë investim të jashtëzakonshëm për Vlorën dhe mbarë Shqipërinë. Kryeministri theksoi se ndërtimi i TEC përbën një ngjarje shumë të rëndësishme për potencialin turistik, industrial dhe të gjithanshëm të Vlorës dhe bregut shqiptar. “TEC-i është një dëshmi e përpjekjeve të qeverisë, jo vetëm për të mos i kthyer më kurrë ndërprerjet e energjisë elektrike në vend, por për t’u bërë një vend eksportues i energjisë”, theksoi Berisha.

-2 tetor 2009, nisin provat me ngarkesë-

Prej më shumë se një muaji në TEC-in e ri në qytetin e Vlorës kanë filluar provat e punës me ngarkesë, ndërkohë që energjia e prodhuar është futur në sistemin unik kombëtar dhe një pjesë është shfrytëzuar për nevojat e vetë objektit. Drejtues të TEC-it shprehen për ATSH-në se, “gjatë kësaj periudhe është punuar me orar të reduktuar dhe synimi është që, brenda muajit tetor TEC-i të vihet në funksion me kapacitet të plotë prej 97 megawat”.

-20 shkurt 2010, TEC-i i ri, në funksion edhe me gaz të lëngshëm-

Krahas teknologjisë për prodhimin e energjisë elektrike, duke shfrytëzuar si lëndë të parë, naftën, në TEC-in e ri në qytetin e Vlorës do të aplikohet edhe një teknologji alternative, me lëndë të parë gazin e lëngshëm. Drejtori i Përgjithshëm i KESH, Muharrem Stojku, tha për ATSH-në se, ka filluar dhe është në proces, hartimi i një studimi që synon shfrytëzimin e gazit të lëngshëm, duke e marrë atë drejtpërdrejt nga anijet çisternë.

-25 prill, komisionimi drejt përfundimit-

Në një prononcim ekskluziv për ATSH-në, Stojku, bëri të ditur se aktualisht ky objekt është në proces komisionimi. “Procesi i provave me ngarkesë, ose siç emërtohet ndryshe në terminologjinë teknike “komisionimi”, po zhvillohet normalisht në bazë të grafikut të ndërtuar me palën italiane”, theksoi ai. Ky proces që do të mbyllet me komisionimin e përgjithshëm të objektit, që do të zhvillohet në datën 20 maj, po realizohet në bashkëpunim dhe në prani të përfaqësuesve të të dy palëve, ku përfshihet edhe kompania ndërtuese italiane, TECMOND.