Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 11:08

Tiranë – Autoriteti i Konkurrencës bëri sot të ditur prodhuesit e bukës në Vlorë kanë bërë marrëveshje për të rritur çmimet dhe kjo marrëveshje duhet të ndalohet menjëherë. Nga hetimi i nisur prej Autoritetit të Konkurrencës, ka rezultuar se marrëvëveshja është bërë më datë 23 mars të këtij viti dhe ka të ngjarë të jetë në shkelje të ligjit. Për këtë arsye, është vendosur si masë e përkohshme ndalimi i marrëveshjes, deri në mbylljen e hetimit të plotë.

“Pjesëmarrësit në marrëveshjen e ndaluar për rritjen dhe fiksimin e çmimit të bukës në qytetin e Vlorës, duhet t’i japin fund menjëherë sjelljes së bashkërenduar për fiksimin e çmimit të bukës. Masat e përkohshme duhet të zbatohen me marrjen në dijeni të këtij vendimi dhe do të zbatohen për një periudhë kohe deri në përfundim te hetimit. Moszbatimi i vendimit për masa të përkohshme, ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore,” u shpreh sot Lindita Lati, kryetare e Komisionit të Konkurrencës.

Në kuptim të nenit 3 pika 4 dhe nenit 4 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” marrëveshjet e ndaluara janë shkelja më e rëndë dhe sjellja më anti-konkurruese, që mund të ndëshkohet nga Autoriteti i Konkurrencës me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore. Pas valës së rritjes së çmimeve të artikujve ushqimorë gjatë muajve të fundit, Autorioteti i Konkurrencës është duke zhvilluar hetime të thelluara edhe në tregun e vajit, të sheqerit dhe të orizit.