Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 20:15

Vlorë – Bregdeti i Vlorës deri në Orikum po tjetërsohet si pasojë e ndërtimeve të paligjshme, kryesisht molet e improvizuara me masivë gurësh, që hidhen me vend e pa vend.

Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Geron Gumbardhi, përmes ATSH-së jep alarmin se nga kjo dukuri situata mjedisore në një nga pjesët më të bukura të bregdetit shqiptar po rëndohet dhe rrezikon të rëndohet edhe më tepër në të ardhmen, për shkak të indiferencës së pushtetit vendor dhe strukturave të tjera.

“Po tjetërsohet bregdeti nga Vlora në Orikum, për shkak të moleve të shumta që po mbijnë si kërpudha pas shiut dhe që ndërtohen nga subjekte dhe individë të papërgjegjshëm”, tha sot Gumbardhi.

Ai shton se pas verës së vitit të kaluar, kur u shfaq për herë të parë, kjo dukuri po merr përmasa të rrezikshme. Sipas tij, jo vetëm nuk po parandalohen veprimet e këtyre individëve, por, përkundrazi, ato po vazhdojnë dhe po shtohen.

Në të gjithë gjatësinë, nga Plazhi i Vjetër deri në Orikum, po vazhdojnë të ndërtohen mole përgjatë bregdetit, duke hedhur masivë gurësh në det. “Kam kërkuar ndërhyrjen dhe bashkëpunimin e qeverisjes vendore dhe të strukturave të tjerave si Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar(INUK) dhe Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor(INUV), në komunat dhe bashkitë respektive që shtrihen përgjatë bregdeti, apo të strukturave të tjera të specializuara, por ajo ka munguar”, thotë Gumbardhi.

Ai sqaron se ajo çka është në kompetencë të institucionit që ai drejton, aplikimi i gjobave në vlera të konsiderueshme, është realizuar. Më tej, janë struktura të tjera dhe qeverisja vendore që disponon mjete dhe kapacitete njerëzore, që duhet të ndërhyjë. Por, kjo nuk ka ndodhur deri tani. Ndërkohë, afrimi i sezonit turistik e bën edhe më shqetësuese situatën.

Në verën e vitit 2011, përgjatë bregdetit nga Vlora në Orikum, individë dhe subjekte të ndryshme hodhën masivë gurësh në det, duke synuar ndërtimin e moleve të vegjël pa marrë lejen e organeve përkatëse.

Për të gjitha ato ndërtime që cënojnë standardet mjedisore në vijën bregdetare të Vlorës, u aplikuan gjoba në vlera të konsiderueshme si dhe u paralajmëruan individët për masa të tjera. Por, pavarësisht kësaj edhe sot situata ka mbetur e pandryshuar. Madje, jo vetëm kaq, por ajo rrezikon të rëndohet edhe më tepër.

Hapësirat mes moleve të improvizuar po mbushen me materiale të ngurta dhe me rërë, duke bërë që kjo pjesë e bregdetit të ekspozohet ndaj tendencës së transformimit për interesa të individëve dhe subjekteve të caktuara. Shkelësit e ligjit po punojnë që “projektet” e tyre t’i bëjnë fakt të kryer përpara nisjes së sezonit turistik veror, “pa u hyrë gjemb në këmbë”.

Në muajin shtator të vitit të kaluar, Agjencia Rajonale e Mjedisit ndërhyri për të ndëshkuar shkaktarët e kësaj gjendjeje, duke aplikuar gjoba në vlera të konsiderueshme financiare prej më shumë se 1 milion lekë dhe duke i paralajmëruar ata për masa të tjera.

Sipas drejtuesve të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, këto ndërtime cënojnë standardet mjedisore gjë që e bën të domosdoshme ndërhyrjen për të kthyer territorin në gjendjen e mëparshme. Për të normalizuar gjendjen dhe për të prishur këto ndërtime të paligjshme, ARM ka kërkuar ndihmën e disa institucioneve si Inspektorati Ndërtimor Kombëtar.

Janë këto institucione që disponojnë kapacitetet dhe atributet ligjore për të ndërhyrë në rikthimin e normalitetit në këtë pjesë të bregdetit përpara se të jetë vonë.