Lajme Shqip Friday, 09 September 2011 20:42

Tiranë – Vienna Insurance Group blen kompaninë shqiptare të sigurimeve Intersig. Pas Sigma dhe Interalbanian, grupi vienez ka zgjeruar më tej praninë e saj në tregun shqiptar.

Marrëveshja është nënshkruar më datë 24 Gusht dhe Vienna Insurance Group ka blerë 75%+1 të aksioneve të Intersig. Vlera e operacionit nuk është bërë publike nga palët. Nëse do të miratohet nga Autoriteti i Konkurrencës, kjo blerje shënon një zhvillim të rëndësishëm në tregun e sigurimeve.

Me blerjen e Intersig, Vienna Insurance Group bëhet aktori më i madh, duke kaluar Sigal Uniqa Group Austria. Sipas të dhënave më të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për 7-mujorin e këtij viti Sigal Uniqa Group Austria zotëronte 30.8% të tregut, sipas volumit të primeve të arkëtuara, ndërsa Sigma dhe Interalbanian, dy kompanitë e Vienna Insurance, zinin së bashku 27.8%.

Me blerjen edhe të Intersig, pjesa në treg e Vienna Insurance arrin në 37%, duke u marrë kryesimin e tregut shqiptar të sigurimeve.

Shitja e Intersig është hapi i radhës në ekspansionin e investitorëve të huaj në tregun shqiptar të sigurimeve. Në katër vitet e fundit, dy kompanitë e mëdha austriake Uniqa Group Austria dhe Vienna Insurance Group kanë blerë tre kompanitë më të mëdha të sigurimeve në vend.

Pas blerjes së Intersig, dy gjigandët austriakë zotërojnë pothuajse 70% të tregut. Ndërkohë, në dhjetor të vitit të kaluar grupi slloven Triglav bleu 51% të aksioneve të kompanisë Albsig. (LajmeShqip.com)