Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 14:00

Tregu i pensioneve private ka vijuar të rritet edhe gjatë vitit 2011, por përmasat e tij ende mbeten modeste. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të vitit 2011 numri i kontribuesve arriti në afro 6300, me një rritje vjetore prej 26%.

Vlera totale e kontributeve për vitin e kaluar ishte 177 milionë lekë, me një rritje vjetore prej 58%. Pagesa mesatare vjetore për kontribues u rrit në 28 mijë lekë, nga 22 mijë lekë që kishte qënë në vitin 2010.

Tregu po nxitet kryesisht nga kompanitë që zotërojnë shoqëritë e pensioneve private dhe kontribuesit janë në pjesën më të madhe punonjës të tyre. Kjo dëshmohet edhe nga fakti që 56% e vlerës totale të kontributeve paguhen nga punëdhënësit, ndërsa vetëm 44% nga punëmarrësit.

Zhvillim i rëndësishëm gjatë vitit 2011 në tregun e pensioneve private vullnetare ka qenë liçensimi i operatorëve, që, sipas AMF, pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në maturimin e këtij tregu, duke rritur më tej besueshmërinë e publikut në investimin e fondeve në skemat e pensioneve private vullnetare.

Pas “Raiffeisen Pensions”, tregut gjatë vitit të kaluar i’u shtuan edhe dy kompanitë e sigurimit të jetës, “Sigal Life” dhe “Sicred”. Kompania më e madhe në treg është “Sigal Life Pensions”, që në fund të vitit 2011 zotëronte 45% të vlerës së kontributeve dhe 47% të numrit total të kontribuesve.