Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 15:50

Dërgesat e emigrantëve janë një burim që vazhdon të pakësohet për ekonominë shqiptare.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, edhe gjatë këtij viti, vlera e dërgesave po bie. Për 9-mujorin e këtij viti, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 475 milionë eurove, me një rënie prej 9.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po të krahasojmë të dhënat për 9 muajt e parë të vitit, mund të vërejmë se remitancat janë në rënie për të pestin vit rresht.

Efekti i natyrshëm i pakësimit të remitancave është përshpejtuar nga kriza ekonomike që ka prekur vendet fqinje, ku edhe numri i emigrantëve shqiptarë është më i lartë. Llogaria korente e vendit, që mat diferencën mes flukseve valutore hyrëse dhe atyre dalëse ishte negative në vlerën e 827 milionë eurove, me një përkeqësim prej 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja me 21% e eksporteve nuk ka mjaftuar për të përmirësuar bilancin e llogarisë korente, pasi importet janë rritur me ritëm edhe më të lartë dhe bilanci tregtar është përkeqësuar. Deficiti arrit vlerën e afro 1.6 miliardë eurove, me një rritje prej 7% krahasuar me një vit më parë.

Ekonomia shqiptare ndodhet kështu gjithnjë e më shumë përballë sfidës për të rregulluar pozicionin e jashtëm. Prej vitesh, Banka e Shqipërisë po bën apel për reforma që do të nxisnin rritjen e investimeve të huaja dhe të eksporteve.

Në vitet e fundit, këta tregues kanë rezultuar në përmirësim të dukshëm, por çështja shtrohet nëse kjo rritje ka një bazë të qëndrueshme që të garantojë vazhdimësinë në kohë.