Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 11:28

Tiranë – Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) do të rrisë mbështetjen për ekonominë shqiptare me projekte të reja gjatë vitit në vazhdim. Drejtori i USAID për Shqipërinë, Joseph Williams, u shpreh gjatë prezantimit të raportit të ACIT për Tregtinë e Jashtme, se ndihma e USAID do të përqëndrohet në projekte që rrisin besimin e investitorëve dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
“Në gjashtë muajt e ardhshëm ne do të angazhohemi në shumë projekte të reja, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit dhe forcimin e besimit të investitorëve te ekonomia shqiptare. Vëmendje të veçantë do të ketë mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme, sepse ato janë shtylla kryesore e punësimit në çdo ekonomi. Projekte do të ketë edhe për infrastrukturën, energjinë e pastër, për tregun e Teknologjisë së Informacionit dhe për forcimin e mbikëqyrjes bankare”, tha Williams. 
Ai shtoi se “do të vazhdojmë të japim mbështetje për reformën rregullatore dhe për eliminimin e mëtejshëm të barrierave jotarifore në ekonomi”. 
Programet e USAID, jane të kategorizuara sipas katër fushave kryesore programi, Nxitja e Rritjes Ekonomike, Qeverisja me Drejtësi dhe Mënyrë Demokratike, Investimi në Njerëz dhe Arritja e Paqes dhe e Sigurisë, te cilat do të sigurojnë një shkallë më të lartë eficience dhe do të fokusohen në dhënien e asistencës së huaj të Shteteve të Bashkuara nga populli amerikan për Shqipërinë.