Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 17:45

Tiranë – Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit, Genc Pollo, dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjelloun, nënshkruan sot një marrëveshje që do të mbështesë përparimin e programit Shqipëria Dixhitale, në veçanti projektin për Rrjetin Kombëtar të Transmetimit me Brez të Gjerë, projektin për Sistemet Informatike Gjeografike si dhe për reformën administrative.

Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara vuri në dukje se Rrjeti Kombëtar Broadband do të kontribuojë në përmirësimin e aftësisë konkurruese të Shqipërisë.

“Ky sistem do t’i sigurojë vendit një platformë ndërlidhëse, që do t’i ndihmojë shqiptarët të jenë aktorë aktivë në një shoqëri të mirëinformuar dhe do të ndihmojë vendin të zhvillojë një ekonomi të mirëinformuar,” tha znj. Touimi-Benjelloun.

Projekti i nënshkruar sot, ndër të tjera, do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për institucionin e Ministrit për Inovacionin dhe TIK, për të menaxhuar më mirë axhendën kombëtare të shoqërisë së informacionit. Kjo do të përfshijë asistencë teknike për të krijuar një kuadër të plotë ligjor, për forcimin e partneritetit publik dhe privat në këtë drejtim, si dhe aplikimin në Shqipëri të standardeve më të avancuara në fushën e TIK.