Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 13:35

Tiranë – Në fillim të muajit shtator, do të hyjë në fuqi faza e dytë e uljes së tarifave të terminimit në rrjetet celulare. Kjo nënkupton uljen e tarifave që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për thirrjet ndërmjet rrjeteve të tyre dhe u miratua në fillim të këtij viti nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Në muajin mars, tarifat me shumicë për kryerjen e thirrjeve drejt rrjeteve “AMC” dhe “Vodafone Albania” u ulën në 8.85 lekë për minutë, ndërsa për “Eagle Mobile” në 10.89 lekë për minutë. Ndërkohë, që nga 1 shtatori do të ketë një ulje të mëtejshme, që për rrjetet “AMC” dhe “Vodafone Albania” do t’i çojë tarifat në 7.57 lekë për minutë, ndërsa për “Eagle Mobile” në 8.85 lekë për minutë.

Qëllimi i rregullimit ishte orientimi në kosto i tarifave me shumicë, për të krijuar hapësirat që operatorët celularë të ulnin edhe tarifat me pakicë për përdoruesit fundorë. Siç dihet, thirrjet ndërmjet rrjeteve janë edhe ato më të shtrenjtat. Por që nga marsi dhe deri tani përdoruesit nuk kanë pasur ndonjë përfitim nga rregullimi i tarifave. Megjithëse i paguajnë më pak njëri-tjetrit, operatorët celularë nuk i kanë ulur tarifat për konsumatorët fundorë.

Ulja e tarifave me shumicë ka shkuar e gjitha në favor të operatorëve të telefonisë. Duke qënë se të dhënat e përditësuara të trafikut për vitin 2011 nuk janë bërë të disponueshme nga AKEP, për të vlerësuar me përafërsi përftimet e operatorëve celularë po ju referohemi të dhënave të vitit 2010. Sipas informacioneve të publikuara nga AKEP, çdo muaj në rrjetet celulare hynin rreth 70 milionë minuta thirrje. Këtu përfshihen edhe thirrjet ndërkombëtare, por që në pjesën dërrmuese kryhen nga shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Nëse këtë sasi trafiku e shumëzojnë me vlerën e uljes së tarifave që u aplikua në muajin mars dhe që për dy operatorët më të mëdhenj ishte prej 1.65 lekë, atëherë operatorët e rrjeteve nga janë kryer thirrjet kanë përfituar rreth 115 milionë lekë më shumë çdo muaj.

Për rreth 6 muaj, që nga marsi e deri në fillim të shtatorit, operatorët e telefonisë do të kenë përfituar afro 700 milionë lekë më shumë të ardhura vetëm nga ulja e tarifave me shumicë. Për kompanitë celulare, kjo nënkupton ruajtjen e të ardhurave pavarësisht uljes së tarifave, sepse atë që humbasin nga thirrjet hyrëse, e kompensojnë me më shumë të ardhura nga thirrjet dalëse. Ndërsa përfitimet më të mëdha janë për operatorët fiksë dhe për operatorët e huaj, që kanë fituar më shumë në thirrjet dalëse, por nuk kanë humbur asgjë në thirrjet hyrëse.

Të vetmit që nuk kanë përfituar pothuajse asgjë janë konsumatorët shqiptarë, sepse për thirrjet mes rrjeteve kanë paguar të njëjtat tarifa si më parë. Ky është një sinjal se rregullimi i tregut në nivel shumice deri tani nuk po sjell efektin e dëshiruar për të ulur më shumë tarifat e komunikimit për shqiptarët. (LajmeShqip.com)