Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 16:30

Gjendja e përkeqësuar ekonomike ka prekur edhe ecurinë e pagave në ekonominë shqiptare. Në shumicën e sektorëve, paga reale paraqitet në rënie. Sipas Institutit të Statistikave, në tremujorin e tretë 2011, pagat në sektorin e industrisë kanë pësuar rënie vjetore me 0.9%.

Ndër degët e industrisë, energjitika ka shënuar edhe rënien më drastike të pagave me 16%, ndërsa në industrinë përpunuese pagat janë ulur me 1.3% krahasuar me një vit më parë. Vetëm industria nxjerrëse ka regjistruar një rritje pozitive të pagave, me 28%, por për shkak të peshës së ulët specifike, kjo rritje nuk ka ndikuar në një balancë pozitive të pagave në industri.

Rënie mjaft të thellë kanë pësuar pagat në sektorin e ndërtimit, që kanë rënë me afro 9% krahasuar me një vit më parë. E njëjta tendencë është regjistruar edhe në sektorin e hotelerisë, ku pagat janë ulur me afro 7%. Rritje pozitive të pagave ka regjistruar sektori i telekomunikacioneve, me rreth 20%. Ndonëse ky sektor ka regjistruar një rënie të të ardhurave me rreth 10%, pagat sërish janë rritur, çka tregon se ky sektor ekonomik ngelet përgjithësisht fitimprurës dhe kompetitiv.

Në Tregtinë me shumicë, pagat janë rritur me 0.6%. Ndërsa paga mesatare në sektorin publik, e deflatuar me normën e inflacionit të vitit 2010, është rritur me 3.2%. Fakti që për shumicën e sektorëve ekonomikë pagat janë ulur, tregon më pak të ardhura të disponueshme dhe më pak mjete për konsum.

Kjo konfirmohet edhe nga rënia e shitjeve me pakicë, që për tremujorin e tretë të 2011 ranë me 5.6% krahasuar me një vit më parë. Konsumi i brendshëm është një ndër shtyllat kryesore të rritjes ekonomike. (LajmeShqip.com)