Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 10:10

Tropojë – Mbrojtja e pasurisë pyjore nuk është vetëm përgjegjësi e specialistëve të ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor, por e të gjithë komunitetit, edhe pse thuajse e gjithë sipërfaqja pyjore e rrethit është në inventarin e pyjeve shtetërore.

Përgjegjësi i zyrës ekonomike në ndërmarrjen e shfrytëzimit pyjor të rrethit të Tropojës, Gjon Necaj, thotë se ka rënë ndjeshëm dëmtimi i masiveve pyjore.

Në realitet në rrethin e Tropojës është ndalur dëmtimi i mëtejshëm i pasurisë pyjore, një fenomen i zakonshëm deri pak vite më parë.

Në Tropojë, masivet pyjore zënë 41 për qind të sipërfaqes së rrethit. Kështu, sipërfaqja e pyjeve arrin në 43 mijë ha, nga të cilat 40 mijë ha pyje shtetërore me volum 6.19 milionë metër kub, lëndë drusore dhe 3 mijë ha pyje komunale me 110 mijë metër kub, lëndë drusore.

Masivet pyjore janë të përqëndruara më shumë në zonën e Valbonës, në Nikaj Mërtur, Berishë, etj.

Funksionet e fondit pyjor janë dyfishe: së pari, pyje prodhuese që zënë një sipërfaqe prej 25000 ha ose 58 për qind të sipërfaqes së fondit pyjor dhe pyje mbrojtëse, me sipërfaqe prej 18000 ha ose 42 për qind të fondit pyjor.

Ende ka ekonomi pyjore që nuk janë vënë në shfrytëzim, gjë që kërkon një kontroll të përhershëm për të parandaluar dëmtimin e tyre. Të tilla janë ekonomia pyjore Lumi i Gashit, me siperfaqe 3000 ha dhe volum të lëndës drusore prej 950 mijë m3 dhe ekonomia Curraj i Epërm, me sipërfaqe prej 3300 ha, me volum të lëndës drusore prej 850 mijë m3.

Masivet pyjore dhe sasia e madhe e lëndës drusore e bëjnë të domosdoshmë mbrojtjen e kësaj pasurie nga keqpërdorimi, që deri pak vite më parë ishte një fenomen i zakonshëm. Parandalimi i prerjeve pa kriter po sjell, jo vetëm shtimin e sipërfaqes pyjore, por edhe të lëndës drusore.