Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 10:53

Tropojë – Firmat e liçencuara të kromit, që punojnë në zonat veriore, nuk po investojnë për rehabilitimin e sipërfaqes së dëmtuar gjatë procesit të punës, ç’ka po sjell dëmtime të pasurisë pyjore.

“Dëmtimet në pyje kryhen kryesisht nga firma të licensuara të kromit, që punojnë në rrethin e Tropojës”, thotë për ATSH-në përgjegjësi i zyrës ekonomike të ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor të rrethit, Gjon Necaj.

Sipas tij, pas kontrolleve, policia pyjore ka mbajtur proces- verbale dhe ka gjobitur e derguar per ndjekje penale, afersisht 15-20 subjekte private cdo vit.

Por, gjobat deri tani nuk janë zhdëmtuar nga firmat për dëmin ekonomik të kryer në masivet pyjore të rrethit. Ndonëse disa prej tyre janë dërguar edhe për ndjekje penale, organet e drejtësisë ose i kanë mbyllur çështjet, ose i kanë kthyer, duke dhënë masa administrative me gjobë. Për pasojë, vlera e dëmit të shkaktuar rritet nga viti në vit, në miliona lekë.

Aktualisht në rrethin e Tropojës punojnë 18 firma private të grumbullimit të kromit, që më së shumti shfrytëzojnë frontet e hapura që para viteve ’90, ose shfrytëzojnë karrierat, që kanë pak shpenzime për përgatitjen e fronteve të punës. Ato thuajse nuk investojnë për hapjen e fronteve të reja të punës në sektorin e nëntokës, apo të eliminojnë pasojat negative në mjedis që lënë pas punës për grumbullimin e kromit.

“Një situatë e tillë nuk ndodh vetëm në rrethin e Tropojës ku numri i firmave të kromit është më i madh, por edhe në rrethet e Kukësit e të Hasit”, thotë përgjegjësi i zyrës së industrisë në këshillin e qarkut të Kukësit, Besnik Axhami.

Në këto dy rrethe, dhënia me koncension një firme kinezo – turke të vendburimit të kromit, ka bërë që shfrytëzimi i kësaj pasurie të bëhet më e kontrolluar, ndonëse puna është në fillimet e saj.

Në rrethin e Tropojës, zona e Kamit është vendburimi më i njohur me rezerva kromi, të cilat llogariten deri në rreth 6 milion tonë. Por, prej tyre deri tani është shfrytëzuar vetëm gjysma e tyre. Ky vendburim minerar ka shtrirje të gjërë të vendburimeve dytësore dhe dëmtimi i pyjeve nga shfrytëzimi pa kriter i tyre ka shkaktuar dëmtime të ndjeshme të masiveve pyjore.

Deri tani komuniteti ka përfituar pak, ndërsa mjedisi përreth është dëmtuar ndjeshëm. Ndaj edhe specialistët po kërkojnë që pushteti vendor të jetë bashkëpronar i kësaj pasurie, për t’a vënë në shërbim të banorëve taksën vendore që paguajnë firmat e liçencuara.

Nëntoka e qarkut të Kukësit llogaritet se mban mbi 14 milion tonë rezerva të mineralit të kromit, 100 milion ton rezerva hekur të nikelit, mbi 3 milion tonë rezerva të mineralit të bakrit, etj.