Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 15:17

Tropojë – Ndërtimi i rrugës Bajram Curri – Cerem, rreth 45 kilometra e gjatë, që mundëson lëvizjen e lirë mes Shqipërisë e Malit të Zi në këtë zonë të largët, pritet të sjellë zhvillim ekonomik për banorët e kësaj treve, pasi punimet do të nisin në fillim të muajit prill.

“Fondi është akorduar nga FZHSH-ja dhe pritet që punimet të nisin në fillim të muajit prill”, thotë kryetari i komunës së Margegajt, Rexhë Biberaj, sipas të cilit, pas projektit është kryer tenderi dhe firma fituese pritet të fillojë punimet brenda pak ditëve.

Mungesa e një rrugë automobilistike në këtë zonë ka bërë që deri tani edhe pse është miratuar hapja e një pike të kalimit kufitar mes Shqipërisë e Malit të Zi në afërsi të fshatit Çerem, funksionimi ka qënë minimal.

Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës dhe pika e kalimit kufitar do të ndryshojnë rrënjësisht jetën e banorëve të zonës, pasi lidhjet  fisnore e miqësore të banorëve në të dy anët e kufirit janë të shumta.

Mungesa e një rruge automobilistike dhe një dogane efikase i detyron banorët të udhëtojnë mbi 200 kilometra për të hyrë në Malin e Zi përmes doganës së Hanit të Hotit.

Vetëm pas vitit 2000 nga fshatrat e  komunës Margegaj janë martuar në fshatrat e Plavë – Gucisë mbi 25 vajza, ndërsa largësia mes kësaj komune dhe Plavë – Gucisë është vetëm 40 kilometra.