Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 16:22

Tiranë – Rritja e tatimit mbi fitimin kërcënon investimet e huaja. Arjan Kadareja, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, thotë se propozimi i qeverisë për të rritur tatimin në përpjestim me normën e fitimit është i nxituar dhe krijon pasiguri tek investitorët e rëndësishëm.

“Ndryshimet e shpeshta natyrisht që nuk janë të mira për investitorët, veçanërisht për investitorët e huaj, por edhe për investitorët e mëdhenj vendas. Ndryshimet e shpeshta fusin element pasigurie në planet e tyre. Investitorët e huaj do mendohen dy herë para se të investojnë në Shqipëri, ashtu si edhe investitorët e mëdhenj vendas do mendohen dy herë para se të rrisin përmasat e biznesit të tyre. Ndërhyrja për qëllime afatshkurtra dëmton qëllimet afatgjata, që janë më të rëndësishmet për një ekonomi. Investimet e huaja direkte janë motorri i ekonomisë shqiptare. Nëse preken investimet e huaja, preket zhvillimi afatgjatë i vendit,” shprehet Kadareja.

Sipas tij, taksa e sheshtë ka rezultuar si një reformë e suksesshme dhe thyerja e parimit të saj për hir të interesave afatshkurtra është një gabim.

“Unë mendoj që është një masë e shpejtuar dhe që krijon një precedent. Për mendimin tim, argumentet në favor të taksës së sheshtë nuk kanë rënë. Taksa e sheshtë ka qënë një reformë e suksesshme dhe një masë pozitive për ekonominë shqiptare. Ndaj besoj se vendosja e tatimit progresiv për shoqëritë e mëdha është e nxituar dhe krijon precedentin e ndryshimeve të shpeshta të nivelit të taksave,” shton ai.

Propozimi i qeverisë për të rritur shkallën e tatimit për ato sipërmarrje që sigurojnë norma të la fitimi prek drejtpërsëdrejti bizneset e sektorëve strategjikë të ekonomisë shqiptare, si bankat dhe shoqëritë e telekomunikacioneve, që nga ana tjetër janë edhe ndër investitorët më të rëndësishëm privatë në vend. Ekonomia shqiptare vazhdon të ketë vëmendje të larta nga investitorë të huaj potencialë dhe thyerja e parimit të taksës së sheshtë vetëm pak vite pas vendosjes së saj rrezikon t’i dekurajojë këta investitorë.