Lajme Shqip Saturday, 03 March 2012 13:13

Prishtinë-Trepça e aktivizuar është garanci e zhvillimit ekonomik dhe e stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë, vlerëson Safet Gërxhaliu, kryetar i Oda Ekonomike e Kosovës.

“Trendet afatgjata në tregjet ndërkombëtare të metaleve tregojnë një rritje të vazhdueshme pikërisht të atyre metaleve që Trepça mund ti prodhoj me bollëk. Kjo është një rrethanë tjetër e volitshme ndërkombëtare që Kosovës i mundëson që t’i kthehet gjigantit të vet më të madh prodhues”, thekson ai, në një vizitë dje në gjigantin e dikurshëm ekonomik kosovar.

Sipas Gërxhaliut, ky kthim mund të bëhet në dy mënyra, “që pas autostradës për Shqipëri e gjithë fuqia për investime kapitale të përqendrohet në revitalizimin e Trepçës, apo të gjitha forcat të përqendrohen në gjetjen e një partneri serioz ndërkombëtar, i cili do të investoj në ngritjen në këmbë të ndërmarrjes sonë më përfituese”.

Cilado rrugë të zgjidhet, thekson ai, përfundimi i saj do të shëndërroj Trepçën në lokomotivën e progresit ekonomik të Kosovës. (LajmeShqip.com)