Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 10:37

Tiranë – Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Gazmir Spahia, deklaroi sot se plani i mbledhjes së të ardhurave tatimore për muajin mars u realizua në masën 107.3%, ose në vlerë absolute 15.1 miliard lekë, nga 14.1 miliard lekë që ishte plani.

Vlera e të ardhurave ishte 9% më e lartë krahasuar me muajin mars të një viti më parë. Për tremujorin e parë të vitit të ardhurat u realizuan në në masën 101% në raport me planin dhe përsëri me një rritje 9% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve bëri të ditur se paralelisht me rritjen e të ardhurave është rritur edhe rimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Gjatë tremujorit të parë, u rimbursuan 1.6 miliard lekë TVSH, 23% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2010.

Sipas tij, këta tregues janë shprehje e performancës në rritje të administratës tatimore dhe rrjedhojë e reformave të thella në luftën ndaj informalitetit dhe evazionit fiskal.

Zoti Spahia tha se numri i bizneseve që kanë vendosur kasat fiskale ka arritur në 56 mijë, ndërkohë që në tre muajt e parë të vitit janë regjistruar si tatimpagues edhe 3,200 biznese të reja.