Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 19:00

Tiranë – “Transoil Group”, kompani zvicerane do të nisë javën e ardhshme investimin prej 20 milionë USD në vendburimin naftëmbajtës të Visokës për vlerësimin dhe prodhimin e naftës, sipas marrëveshjes hidrokarbure dhe planifikon të nxjerrë sivjet rreth 955 mijë fuçi naftë.

Burime zyrtare të AKBN-së (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) thanë sot se, aktualisht në terren po bëhet kalimi i puseve të naftës dhe aseteve të tyre në Visokë nga kompania publike “Albpetrol”, tek “Transoil group”.

“Pas miratimit të plan-veprimit nga kompania publike e naftës “Albpetrol” dhe AKBN, “Transoil Group do të nisë javën që vjen investimin”, thanë burimet e AKBN-së.

Gjatë vitit 2012, ky grup sipas marrëveshjes hidrokarbure, do të investojë 20 milionë dollarë sipas plan-veprimit  për vlerësimin dhe prodhimin e naftës bruto në vendburimin e Visokës, ku pritet të zbatojë metoda të reja për nxjerrjen e naftës.

Në vitin e parë të punës parashikon investimin deri në 20 milionë dollarë dhe nxjerrja e 954.493 fuçi naftë, ndërsa ka paraqitur në AKBN edhe një plan afatgjatë. Në tre vitet e ardhshme ky grup parashikon 80 milionë usd investime

“Transoil group” është pasuese e “IEC Visoka” dhe kryen operacione në fushën e hidrokarbureve për vlerësimin dhe prodhimin e naftës bruto në Visokë, një vendburim 13 km larg Fierit e hapur në vitin 1963 për nxjerrje nafte.

Drejtori Ekzekutiv i AKBN-së, Besjan Pesha pas takimit me përfaqësues të “Transoil Group” për nisjen e investimeve javën që vjen, vlerëson se, “fillimi i investimeve në fushën e Visokës është një lajm i mirë për punëtorët dhe gjithë banorët e zonës, të cilët do të përfitojnë direkt si dhe për perspektivën e industrisë naftëmbajtëse në vend e cila duket qartë se ka marrë një hov të veçantë”.

Pesha çmoi se investimi i “Transoil”, ardhja e kompanisë “Shell” si partnere e “Petromanas”, fillimi i shpimit të puseve në zona të reja on dhe offshore pritet të ridimensionojë industrinë shqiptare të naftës.

“Transoil group” nga Zvicra ka 20 vite eksperiencë në fushat e naftës dhe ka aktivitet në vende të ndryshme si në Rusi, Bjellorusi, etj.