Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 17:19

Tiranë – Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe AKB (Agjencia Kosovare e Biznesit) nënshkruan të premten në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi, që synon shkembimin e informacionit dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare midis të dy vendeve.

Marrëveshja u firmos nga Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe nga kryetari i AKB-së, Agim Shahini, gjatë forumit të biznesit “Rritja e shkëmbimeve ekonomike-tregtare Shqipëri – Kosovë në kushtet aktuale”.

Forumi i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe AKB (Aleanca Kosovare e Bizneseve), nxiti interesin e sipërmarrësve nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët vlerësuan mundësitë konkrete të operimit në treg.

Bashkëbiseduesit në këtë takim ndanë mendimin se tregtia mes dy shteteve duhet të zhvillohet në të dy kahjet, duke respektuar marrëveshjen CEFTA që ekziston mes vendeve të rajonit.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, u shpreh se “potencialet dhe resurset natyrore në tërësi si dhe pozita gjeo-ekonomike shqiptare në kushtet e iniciativave të tregtisë së lirë midis vendeve të rajonit, kërkojnë kontributin dhe njëkohësisht ambicjen tonë drejt një hapësire më të gjerë ballkanike. Zgjerimi i kontakteve, veçanërisht në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve të biznesit, siç është edhe ky takim, do t’i shërbejë më mirë angazhimit tonë dhe iniciativës suaj për rritjen e prezencës së biznesit kosovar në Shqipëri”.

Duke e vlerësuar bashkëpunimin si një mundësi të mirë, Jaka theksoi se “sektori që premton shumë për rritjen e volumit të tregtisë mes dy vendeve është bashkëpunimi në fushën e energjisë, të përqendruara tek burimet hidrike ne Shqiperi, ndërsa në Kosovë te burimet natyrore termo (qymyri)”.

Rektori i Universitetit Mesdhetar, Prof. AnastasAngjeli, duke bërë një analizë të hollësishme të potencialeve ekonomike që ekzistojnë mes dy vendeve, u shpreh se “dhomat dhe shoqatat e biznesit duhet të veprojnë me shpejtësi dhe me nisma e veprime konkrete”.

Angjeli tha se në tregun shqiptar veprojnë dhe operojnë rreth 135 mijë biznese vendase apo të huaja, të cilat kontributin e tyre për shtimin e vëllimit tregtar në këtë moment me Kosovën, nuk duhet ta konsiderojnë thjesht dhe vetëm një veprim ndihme dhe komplementar në plotësimin e përkohshëm të nevojave të tregut kosovar, por edhe një rol misionar të tyre në zhvillimin dhe zgjerimin e hapësirave bashkëpunuese rajonale, ekonomike e tregtare dhe të europianizimit ekonomik edhe të Kosovës.

Nga ana e tij ministri për Zhvillim Ekonomik i Kosovës, Besim Beqaj, duke vlerësuar këtë moment të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të shtetit të tij, u shpreh se “qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që përmes projekteve konkrete investuese të krijojë kushte të përshtatshme qoftë nëpërmjet investimeve publike ose partneriteteve publiko-private, reformën në administratën publike dhe në sektorin e edukimit, eliminimin e të gjitha barrierave ligjore të panevojshme, aktivitete të cilat do të kenë impakt në promovimin e punësimit dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës”. Njëkohësisht, sipas zotit Beqaj, është e rëndësishme orientimi drejt fuqizimit të marrëdhënieve ekonomike me vendet e rajonit në kuadër të marrëveshjes CEFTA, e cila mund të konsiderohet si shtytës i rëndësishëm i përshpejtimit të reformave strukturore ekonomike.

Zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, në fjalën e tij u shpreh se qeveria shqiptare është e gatshme të vërë të gjitha potencialet e saj për të përafruar ligjin me qëllim krijimin e mundësive dhe lehtësirave të nevojshme në të gjitha fushat tregtare me Kosovën.

Sipërmarrësit e të dy vendeve u ndalën në problematikat që ekzistojnë për momentin, duke kërkuar nga palët politike të krijojnë lehtësitë e duhura në kohën e duhur.