Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 10:31

Tiranë – Euro po vazhdon të nënvlerësohet lehte dita-ditës në tregun e brendshëm të këmbimit valutor.

Sipas ekspertëve valutorë, arsyeja e vetme është ndikimi nga tregu ndërkombëtar. Në bursat ndërkombëtare dollari po fiton pikë, ndërsa euro është duke humbur terren që pas lajmit të vrasjes së Bin Ladenit. Gjithashtu, tregu i brendshëm është ndikuar edhe nga kriza greke, pasi marrëdhëniet tona tregtare janë shumë të ngushta.

Ekspertet janë të mendimit se ndërsa ekonomia greke nuk jep shenja përmirësimi, pritet që gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm, pasojat e kësaj krize të ndihen edhe në vendin tonë. Greqia është fqinji i dytë me të cilin Shqipëria ka shkëmbimin më të madh tregtar.

Ndërkohe Euro ka rënë gati me 1 pikë ndaj dollarit. Sipas kursit zyrtar të këmbimit valutor të Bankës së Shqipërisë, një euro është tregtuar dje 141.14 lekë, nga 142 lekë që është tregtuar ditë më parë, ndërsa një dollar është tregtuar me 98.79 lekë, nga 97,7 që është tregtuar ditë më parë.

Ndërsa sipas agjencisë prestigjoze “Bloomberg”, një euro është tregtuar me 1.4213 dollarë, duke treguar për 1.37% rënie të euros ndaj dollarit.