Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 15:26

Tiranë – Tregu i punës po shfaqë shenja përmirësimi. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesit për punësimin kanë vazhduar të përmirësohen, megjithëse norma e papunësisë ka mbetur e pandryshuar. Pagat reale u rritën si në sektorin publik ashtu dhe në sektorin privat. Zhvillimet pozitive në tregun e punës sinjalizojnë për përdorim më efecient të burimeve të punës gjatë aktivitetit ekonomik.

Të dhënat nga statistikat afatshkurtra konfirmojnë rritjen për punësimin sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë, por me norma më të ulëta se në tremujorin e tretë të vitit 2010. Edhe rezultatet e vrojtimeve të bizneseve mbështesin dinamikën tremujore të punësimit të shfaqur nga statistikat afatshkurtra.  Sipas bilancit të forcave të punës, numri i të punësuarve gjithsej në nivel ekonomike pësoi rritje vjetore 1.74 %.

Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga rritja e të punësuarve në sektorin privat jobujqësor i cili për tremujorin e katërt ka shënuar rritje vjetore me 3.13 %. Ky sektor ka shënuar norma pozitive rritjeje vjetore gjatë gjithë vitit 2010, ndërkohë që në sektorin publik është vërejtur një rënie vjetore e numrit të të punësuarve me 0.15%.

Një analizë më e detajuar sektoriale, mbështetur në të dhënat e statistikave afatshkurtra, tregon se rritja e të punësuarve në sektorin privat jo-bujqësor ka ardhur kryesisht nga degët me performancë më të mirë ekonomike. Dega e industrisë ishte kontribuesi më i madh në rritjen vjetore.

Punësimi në këtë degë u rrit me 6.4 % gjatë tremujorit të katërt të vitit 2010. Nga ana tjetër punësimi në ndërtim vazhdon tendencën rënëse të nisur që në tremujorin e dytë të vitit. Norma vjetore e rritjes në tremujorin e katërt të vitit 2010 ishte – 4.1.

Ndërsa punësimi në sektorin e shërbimeve shënoi një normë rritëse me 2.7 %.