Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 19:14

Tiranë – Komuniteti i sipërmarrësve të biznesit  po studion mundësitë  për të paraqitur kërkesat në Këshillin Konsultativ të Biznesit, ku pritet të rishqyrtohet drafti i tatimit progresiv. Drejtues të Biznes Albania dhe të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, thanë se po shqyrtojnë me ekspertë të kësaj fushë dhe biznese, anëtarë të tyre, mundësitë se si ta ndryshojnë këtë draft. Drafti i propozuar për ndryshimet në tatimin mbi fitimin, i tërhequr vetëm 10 ditë më parë nga Qeveria për rishqyrtim me komunitetin e biznesit, akoma po “fle” në sirtaret e Ministrisë së Financave.

Burime zyrtare nga kjo Ministri bëjnë të ditur se, akoma nuk është ngritur grupi i punës që do të riformulojë  draftin. Vendimi për tërheqjen për rishikim të projektligjit nga Ministria e Financave është bërë pak ditë para zgjedhjeve lokale, ndërsa tani nuk ndihet njeri për këtë cështje. Por në kundërshtim me këtë  draft  janë  shprehur  jo vetem  shoqatat e biznesit, por edhe  ekspertë të ndryshëm të ekonomisë.

Drafti i parë për tatimin mbi fitimin,  parashikonte aplikimin e një tatimi progresiv mbi bizneset në varësi të shkallës së fitimit. Kështu, ishte propozuar dyfishimi e tatimfitimit për ato kompani që deklarojnë se kanë fitime mbi 20 për qind të xhiros si dhe trefishimin të tij për ato biznese që deklarojnë se kanë fitim mbi 30 për qind të xhiros.

Ndryshimet e propozuara në këtë projektligj kanë një rendësi të madhe edhe për buxhetin, pasi subjektet që preken nga ato janë kryesisht bizneset e mëdha, si bankat, kompanitë e telefonisë celulare apo prodhues të rëndësishëm, të cilat kontribuojnë me sasi të konsiderueshme detyrimesh në arkën e shtetit.