Lajme Shqip Sunday, 03 July 2011 13:51

Tiranë – Shqipëria ka marrë presidencën e radhës të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik me Detin e Zi, PABSEC, që deri tani mbahej nga Ukraina.

Në Asamblenë e Përgjithshme të 37-të të PABSEC që u zhvillua në Kiev, me pjesëmarrjen e deputetëve nga të gjitha vendet anëtare të kësaj Asambleje dhe të Presidentit të Asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe zëvendës presidentit të PE-së, Shqipëria u përfaqësua nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Në fjalën ë saj, zonja Topalli nënvizoi se “Shqipëria si një bashkëthemeluese e PABSEC e vlerëson atë si një forum të një rëndësie të veçantë në çështjen e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh të vendeve pjesëtare të kësaj orgnizate, por po ashtu dhe për rëndësinë që kanë këto vende në bashkëpunimin për çështjet e sigurisë, energjisë, teknologjisë, të ekonomisë së gjelbër, në këto kohë sfidash për mbarë globin”.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë qëndrimit në Kiev, u prit në takime të veçanta nga Presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç dhe homologu i saj, Volodimir Lidvin, ku në qendër të bisedimeve ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë, bëri të ditur se në takimin me Presidentin Janukoviç vizita e zonjës Topalli u konsiderua si një vizitë që shënon një riaktivizim të marrëdhënieve midis Ukrainës dhe Shqipërisë.

Gjatë bisedës të dy bashkëbiseduesit ishin të mendimit se vëllimi i shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve është ende i ulët.

“Nxitja dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik midis Ukrainës dhe Shqipërisë me interes reciprok duhet të vlerësohet me më shumë prioritet. Heqja e vizave nga pala shqiptare ndaj qytetarëve të Ukrainës është një hap i parë në këtë drejtim”, deklaroi Topalli.

Ndërsa, Presidenti Janukoviç shprehu idenë e ngritjes së një komisioni ekonomik dypalësh.

Ai, gjithashtu, tha se nënshkrimi i marrëveshjeve në fusha të ndryshme do të vendoste bazën ligjore për rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe të fushave të tjera.

Në këtë takim u diskutua mbi mundësinë e vendosjes së një linje direkte ajrore Kiev- Tiranë.

Në takimin me Kryetarin e Kuvendit të Ukrainës,Volodimir Lidvin, përveç bashkëpunimit të vendeve të Detit të Zi, në kuadër të organizatës PABSEC, presidencën e radhës të së cilës e mori Shqipëria, u diskutua dhe për rëndësinë e diplomacisë parlamentare si një dimension i rëndësishëm i mbështetjes së diplomacisë ekonomike dhe bashkëpunimit në fusha të tjera.

Ata vunë në dukje se parlamentarët e dy vendeve duhet të njohin më mirë njëri-tjetrin, realitetet politike dhe ekonomike respektive.

Dy kryeparlamentarët ranë dakort që në të ardhmen të ketë shkëmbime midis grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare të ndryshme.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e ftoi homologun e saj për një vizitë zytare në Shqipëri.