Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 11:32

Tiranë – Tregu i sigurimeve për tre muajt e parë të vitit 2011 është rritur me 7.8% krahasuar me një vit më parë. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare treguan se edhe në muajin mars industria e sigurimeve e ngadalësoi ritmin e rritjes, duke provuar edhe njëherë se tregu nuk ka vazhdimësi dhe qëndrueshmëri.

Në kontradiktë me rritjen modeste të vlerës së primeve, vazhdon të vërehet një rritje me ritme shumë të larta e numrit të kontratave. Në fund të muajit mars ato arritën në 297 mijë, me një rritje prej afro dy herë e gjysmë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo mospërputhje tregon se rritja ka ardhur në kontratat me vlerë të vogël, kryesisht në ato të sigurimit të shëndetit në udhëtim, kategori e lidhur ngushtë me udhëtimet jashtë vendit dhe me liberalizimin e vizave.

Numri i kontratave dhe vlera e primeve në këtë kategori është rritur me pesë herë. Nga ana tjetër, kanë rënë ndjeshëm primet për sigurimin e aksidenteve, madje edhe sigurimi i detyrueshëm motorrik.

Në tërësi, aktiviteti i sigurimit të jetës vazhdon të ketë ritme shumë më të larta rritjeje dhe ka arritur në 12% të tregut, nga 8% që zinte një vit më parë. Në ngadalësim të dukshëm është edhe rritja e vlerës së dëmeve, që për tremujorin e parë kishin vlerën e 506 milion lekëve, 8.35% më shumë krahasuar me një vit më parë. Raporti dëme-prime ishte në vlerën 22.6%, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.