Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 14:56

Tiranë – Sigal zgjeron dominimin në tregun e sigurimeve. Statistikat zyrtare të publikuara nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, tregojnë se Sigal për tre muajt e parë të vitit zinte 37.3% të tregut sipas vlerës së primeve të shkruara bruto. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pjesa e tregut e Sigal është rritur me 6%.

Ndërkohë që Sigal është rritur, ka rënë në mënyrë drastike pjesa e tregut e Sigma.

E para nga dy kompanitë shqiptare të Vienna Insurance Group, për tre muajt e parë të këtij viti zotëronte 12.4% të tregut, nga afro 20% që kishte një vit më parë. E treta në tregun e sigurimeve renditet kompania tjetër e Vienna Insurance, Interalbanian.

Për tre muajt e parë të vitit, Interalbanian zinte 9.4% të tregut, në rënie me 0.5 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Mes kompanive të tjera, është regjistruar një rritje e Intersig, që është tashmë e katërta në treg, ndërkohë që më poshtë Atlantik dhe Insig kanë pësuar rënie të pjesës së tyre të tregut.

Për sa i takon pagesës së dëmeve, Sigal renditet sërish e para, por me një pjesë shumë më të ulët ndaj totalit, 25.3%. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2010, pjesa e dëmeve të Sigal ndaj totalit ka rënë me 14 pikë përqindjeje. Vijon Insig, që ndonëse zotëron vetëm 8% të primeve, ka paguar afro 23% të totalit të dëmeve për tregun.