Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 11:01

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, tha të premten në Forumin Ndërkombëtar “Për Zhvillimin Energjetik në Shqipëri dhe Rajon”, se vizioni i Qeverisë është ta kthejë Shqipërinë në një vend eksportues të energjisë. 
Për këtë, sipas z.Haxhinastos, nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë mes qeverisë dhe donatorëve të huaj. Zv/kryeministri theksoi se sektori energjetik është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. 
Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Engjëll Zeqo, në fjalën e mbajtur me këtë rast u shpreh se energjia përbën një sfidë për Shqipërinë dhe rajonin dhe për zhvillimin e mëtejshëm energjetik nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë mes sektorit privat dhe publik.
Nga ana e saj, drejtoresha e Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Kseniya Lvovsky, tha se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për zhvillimin e këtij sektori, sidomos tani që me rritjen e çmimeve të karburanteve është rritur dhe kërkesa globale për energji alternative. 
Ky forum u organizua në kuadër të Panirit “Tirana International Industry”, që është hapur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë nga Alb-Konfindustria dhe Rajoni i Piemontes-Itali. Në panairin dy ditor, marrin pjesë kompanitë përfaqesuese të sektorëve strategjike dhe teknologjisë së lartë të energjetikes, rrjeteve te telekomunikacionit, infrastruktures portuale, sistemeve te teknologjise GIS, qe vijne nga Piemonte, Lombardia, Çekia, Austria dhe përfaqësues të Bankës Botërore, BERZH, Trans Adriatic Pipeline (TAP), KESH, CEZ etj.
Kompanite e pranishme parashikojnë të zhvillojnë takime të përbashkëta me përfaqësues të bizneseve vendore dhe njëkohësisht do të kenë takime të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve publike shqiptare.
Panairi ka rëndësi të vecantë për faktin, se është hera e parë, që përfaqësohen në Shqipëri në mënyrë institucionale rajonet e pasura te Veriut të Italisë si Piemonte, që janë njëkohesisht edhe qëndrat më të zhvilluara industriale të Europës.