Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 11:31

Tiranë – Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshimet e paralajmëruara ligjore me qëllim rritjen e tatimit për bizneset më fitimprurëse. Sipas projektligjit të miratuar në qeveri, shoqëritë tregtare do të tatohen në mënyrë progresive, në varësi të rritjes së normës së fitimit.

Për bizneset që kanë një normë fitimi deri në 20%, tatimi mbi fitimin do të qëndrojë në nivelin 10%. Për bizneset që kanë një normë fitimi deri në 30%, tatimi bëhet 20%. Për bizneset që arrijnë një normë fitimi më të lartë se 30%, tatimi mbi fitimin do të jetë në masën 30%. Gjithashtu, ndryshimet ligjore nuk njohin më si shpenzime të zbritshme shpërblimet dhe bonuset për të punësuarit në sektorin financiar.

Siç kuptohet qartë nga natyra e tij, në radhë të parë ky ligj shkel parimin e taksës së sheshtë, të reklamuar me bujë si një nga sukseset më të mëdha nga shumica në qeverisje dhe që për hir të së vërtetës, ka shënuar një zhvillim pozitiv në menaxhimin buxhetor dhe fiskal.

Ky ndryshim kursi, përveçse rrezikon të kompromentojë një nga arritjet e më të rëndësishme të qeverisë, tregon edhe mungesën e një vizioni të qartë për politikat fiskale.

Së dyti, filozofia e ligjit është ajo e penalizimit dhe diskriminimit të atyre bizneseve që janë më të suksesshme dhe fitimprurëse, filozofi kjo shumë e çuditshme për një qeveri të djathtë.

Veç të tjerash, siç thuhet edhe në relacionin për projektligjin dhe siç është artikuluar publikisht nga kryeministri, ky ligj synon të godasë biznese të sektorëve të veçantë, si bankat dhe kompanitë celulare.

Është e kuptueshme që çdo qeveri ka interes të rrisë të ardhurat në buxhet, por taksimi selektiv, që godet sipërmarrjet më të suksesshme në treg, nuk i shërben nxitjes së ekonomisë dhe stimulimit të nismës së lirë.