Lajme Shqip Friday, 29 July 2011 16:52

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi të premten paketën fiskale, e miratuar në Kuvend më 21 korrik, e cila përfshinë disa ndryshime në ligjin “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, disa ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare”, disa ndryshime në ligjin “Për sistemin e taksave vendore”, si dhe disa ndryshime në ligjin “Për akcizat”.

Paketa fiskale e miratuar në seancën e fundit parlamentare të këtij sesioni synon bërjen 0% të tarifës së lëndëve të para të industrisë së konfeksioneve të këpucëve dhe të produkteve të gatshme të veshjeve, bazuar në propozimet dhe shqetësimet e ngritura nga grupet e interesit që operojnë në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve nga përfaqësuesit e sektorit të shitjeve me pakicë të veshjeve të gatshme.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës dekretoi sot edhe një tjetër ligj të rëndësishëm”Për transplantimin e indeve, të qelizave dhe të organeve në Republikën e Shqipërisë”, i cili synon të stimulojë teknikat e trapianteve, si dhe ratifikimin e disa marrëveshjeve si ajo ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Qeverisë së Serbisë për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar dhe protokollit të saj të zbatimit, “ratifikimin e protokollit që ndryshon aneksin e sigurisë të marrëveshjes ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut Verior, për bashkëpunimin për informacionin atomik”, etj.