Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 18:10

Tiranë – Projektligji i ri “Për taksat kombëtare”, i hartuar nga Ministria e Financave dhe i miratuar nga qeveria shqiptare, synon ristrukturimin e taksimit të mjeteve të përdorura, konkretisht heqjen e taksës së makinave të përdorura në import dhe në shitje brenda vendit, taksës vjetore të qarkullimit si dhe taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve.

Sipas relacionit shoqërues të projekt-ligjit, tashmë taksa e qarkullimit do të vilet nëpërmjet çmimit të karburantit. Taksa e re do të jetë fikse për naftën dhe benzinën, në masën 5 lekë për litër, deri në fund të këtij viti dhe 7 lekë për litër duke filluar nga 1 Janari 2011.

Gjithashtu, do të ristrukturohet taksa e karbonit, e cila do të jetë: naftë 3 lekë/litër; benzinë 1.5 lekë/litër; solar dhe mazut 3 lekë/litër; vajguri 3 lekë/litër dhe koks nafte 3 lekë/litër.

Sipas p/ligjit, të gjithë ata që do të importojnë një makinë, nuk do të paguajnë taksën doganore, por një taksë të re në momentin kur kryhet kontrolli teknik. Taksa do të varet gjithashtu edhe nga vjetërsia e makinës. Zbatimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura do të llogaritet sipas formulës: “Cilindrata në cm3 (koeficienti sipas vjetërsisë), taksa fikse për llojin e karburantit”. Nga ky detyrim përjashtohen makinat deri në 3 vjet përdorim.

Në mesin e vitit 2010, bazuar edhe në rekomandimet e Komisionit Europian, Shqipëria ndryshoi formulën e taksimit të mjeteve të përdorura të transportit, duke prezantuar edhe taksën në shitje të tyre. Aplikmi i kësaj mënyre taksimi, nuk solli rezultatet e dëshiruara për vjeljen e taksës së mjeteve të përdorura të transportit.

Problemet u shfaqën kryesisht në përpjekjet e qytetarëve në shmangien e pagimit të kësaj takse. Për periudhën janar – korrik 2010 janë bërë 15.652 ndryshime të pronësisë mbi mjetin, me një mesatare mujore prej 2.236 veprime.

Ndërsa, për periudhën gusht-dhjetor 2010, janë bërë 2.883 ndryshime të pronësisë mbi mjetin me një mesatare mujore prej 577 veprime. Nga 2.883 mjete që kanë ndryshuar pronësinë, vetëm 1.146 mjete i janë nënshtruar taksës së mjeteve të përdorura.

Ulja e numrit të ndryshimeve të pronësisë çoi në rritjen artificiale të mjeteve që qarkullojnë me akte përdorimi, pra pa ndryshuar pronësinë mbi to. Kjo, sipas ekspertëve, çon në mosnjohjen e pronarëve të vërtetë të mjeteve rrugore.

P/ligji i ri, i cili do të mbërrijë këto ditë në komisionet parlamentare për diskutim, parashikon që për motomjetet, autoveturat dhe mjetet për transport të përzier, ky koeficient në vitin e katërt të përdorimit të mjetit të fillojë me 0.18, duke u rritur me 0.01 për çdo vit përdorimi.

Në bazë të të dhënave të DPSHTRR, autoveturat zënë rreth 70 % të totalit të mjeteve dhe mbi 75 % e autoveturave janë mbi 10 vjet të vjetra.

Për autobuzët, të cilët kanë cilindrata të larta, me synim uljen e barrës së taksës për këtë kategori mjetesh, propozohet të fillojë në vitin e katërt të vjetërsisë së autobuzit nga koeficienti 0.07. Në bazë të të dhënave rezulton se në Shqipëri janë rreth 3 mijë autobuzë, vjetërsia e të cilëve është mesatarisht 14 vite përdorimi. Për këtë arsye, nga viti i katërt deri në vitin e 14 të përdorimit të autobuzit, koeficienti sipas vjetërsisë, rritet me 0. 01 nga njëri vit në tjetrin, ndërsa pas vitit të 14-të të përdorimit, koeficienti rritet me 0. 03. Për të gjitha mjetet e tjera të transportit, propozohet koeficienti 0.2.