Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 12:05

Tiranë – Bashkë me amnistinë fiskale, qeveria bën gati edhe masat shtrënguese ndaj biznesit.

Ministria e Financave paraqiti të martën në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë propozimet për ndryshime në ligjin për Procedurat Tatimore. Projektligji rrit penalitetet edhe në rastet e mosdeklarimit të punonjësve dhe moslëshimit të kuponit tatimor.

Penalitetet mes bizneseve të mëdha dhe atyre të vogla do të diferencohen dhe, gjithashtu, masa e gjobave për bizneset e vogla për këtë shkelje do të rritet.

Ndërkohë, bizneset që gjenden me punonjës të padeklaruar mund të gjobiten deri në 100 mijë lekë. Subjektet që ushtrojnë aktivitet biznesi pa u regjistruar më parë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit sipas projektligjit të propozuar rrezikojnë konfiskimin e mallit.

Me ligjin aktual, subjekteve që nisnin aktivitetin pa deklaruar ju jepej 2 javë kohë për ta bërë këtë.

Megjithëse ende nuk e ka paraqitur projektligjin për amnistinë fiskale, qeveria nuk ka humbur kohë për ta bërë të qartë se, do të miratohet apo jo amnistia e plotë, masat shtrënguese do të jenë më të forta për të dekurajuar evazionin në të ardhmen.