Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 15:15

Tiranë – Muaji mars ka sjellë një tjetër sinjal pozitiv për kreditimin e ekonomisë. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, portofoli total i kredisë ka arritur vlerën e 496.2 miliard lekëve, me një rritje prej 7.3 miliard lekësh, ose 1.5% brenda një muaji.

Kredia për biznes vazhdon të jetë motorri i rritjes së financimeve nga sistemi bankar. Për muajin mars, portofoli i kredisë për biznesin u rrit me 5.5 miliard lekë, ndërkohë që kredia për individë vazhdon të ketë një ritëm më të ngadaltë dhe në mars u rrit me 1 miliard lekë. Sipas raportit të politikës monetare të publikuar dje nga Banka e Shqipërisë, në këtë pjesë të parë të vitit 2011 biznesi po merr kredi kryesisht për investime, element shpresëdhënës për të ardhmen e afërt të ekonomisë.

Totali i depozitave në fund të muajit arriti në 798 miliard lekë, me një rritje prej 5.8 miliard lekë, ose 0.7%. pas një rënie të përkohshme në muajin shkurt, depozitat ju kthyen bindshëm rritjes. Sistemi bankar vazhdon të jetë mjaft likuid dhe raporti mes kredive dhe depozitave në fund të marsit ishte 62.2%.