Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 06:42

Tiranë – Komuniteti i biznesit e ka vlerësuar pozitivsht vendimin e Presidentit të Republikës për kthimin e ndryshimeve në ligjin “Për akcizat”.

Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, ka thënë se ndryshimet në ligjin e akcizave nuk e favorizonin biznesin vendas.

“Na u dha një shans që të gjitha pretendimet që ne kemi patur, dhe që janë pranuar nga intitucionet ligjvënëse, të korrigjohen. Tashmë do të mund të hartojmë një ligj që të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e BE-së, me interesat e sipërmarrjes private vendase, pse jo edhe të huaj, dhe të shohim të gjitha mënyrat për ta korrigjuar ligjin”, deklaroi Bregasi.

Sipas tij, pretendimet e komunitetit të biznesit kanë qënë për industrinë e birrës, pasi ky ligj pretendon t’a formalizojë tregun në një rrugë që nuk është e njohur për vendet BE-së që është pulla fikale dhe së dyti kostoja e këtij projekti, pra e kësaj iniciative për të formalizuar tregun dëmton prodhimin vendas, dhe është shumë e lartë si kosto.

Më tej, Bregasi thekson se mënyra për të bërë pagesën e kësaj kostoje, pra taksa e pullës së akcizës, ishte e parapagueshme për industrinë e birrës, e cila është tërësisht e financuar nga bankat . “Në industrinë e birrës gjatë këtyre viteve janë investuar rreth 80 milion euro dhe janë të rreth 3 mijë të punësuar në këtë sektor. Kështu që përvec vështirësive që ka tregu shqiptar, konkurrueshmërisë së pamjaftueshme qe ka tregu, krijonte dhe probleme të mëdha që jepte impakte direkte te industria jonë. Në këtë pikë ne po negociojmë me ministrinë e Financave që pas kthimit të ligjit nga Presidenti të mund të përmirësohet ligji”, u shpreh Bregasi.

Ajo që ne i kemi parashtruar MF-së, theksoi ai, është hartimi i një ligji të tillë që të mos rrrisë kostot e prodhimit vendas, sepse në kushtet e krizës, në kushtet e rritjes së çmimeve te lëndëve të para, në kushtet kur industria vëndase përballohet me kosto të larta prodhimi, për shkak të teknologjisë jo shumë të përparuar, na duhen shumë vite për të arritur konkurrueshmërinë e madhe të mallrave që vijnë nga importi.

Sipas tij, përfaqësues të “Biznes Albania” po negociojnë me ministrinë e Financave për të bërë disa ndryshime në këtë ligj. Nga ana tjetër, ekspertë të politikave fiskale në ministrinë e Financave, bëjnë të ditur se ligji për akcizat ka pasur si qëllim kryesor decentralizimin e sistemit të pullave fiskale nga shteti në koncensionar privat dhe tashmë kontrata është kryer.

Projektligji në fjalë, që është miratuar vetëm me votat e maxhorancës, parashikon që të pajisen me pulla fiskale, pijet alkoolike, vera, rakia, produktet e duhanit, birra e importuar dhe e prodhuar në vend, ndërsa për birrën për të cilën aktualisht nuk është përdorur pullë akcize, megjithëse është mall subjekt i akcizës, në bazë të kontratës së koncensionit, do të përdoret një shenjues direkt, që quhet ‘Kodi i sigurisë’. Me ligjin e mëparshëm të akcizave nje herë në katër vjet bëhej rakordimi për pullat fiskale, pasi ishte i pamundur kontrolli i tyre.

Kreu i Shtetit, Bamir Topi, ia ktheu Kuvendit për rishqyrtim këtë ligj javën e shkuar, duke mos e dekretuar me argumentin se ndryshimi i bërë për nenin 24 të ligjit ekzistues, bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së sepse sipas tij, neni 33 i Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, ndër të tjera parashikon se ‘që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to, dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë’.

Pas rishqyrtimit nga ana e Ministrisë së Financave , p/ligji do të rikthehet në komisionet kuvendore e më pas në seancë plenare për miratim.